Pse SPAK zgjati me 6 muaj hetimet për kardiokirurgun Prifti!?

Shqipëria

Pse SPAK zgjati me 6 muaj hetimet për kardiokirurgun Prifti!?

Më: 7 gusht 2021 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka vendosur të zgjasë me një muaj hetimet për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, dhe të arrestuarit e tjerë.

“Zgjatjen e afatit të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të shtetasve nën hetim Enkeleida Hoxha, Aldo Tabaku, Manuela Mallkuçi, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj, Isuf Tanuzi, Bledar Petani, Sajmir Petani dhe Altin Skëndera, për një periudhë njëmujore, nga data 05.08.2021 deri në datë 05.09.2021”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, afatet hetimore janë zgjatur edhe për të pandehurit e tjerë, Aldo Tabaku, Isuf Tanuzi, Trëndafile Fagu, Migena Skënderin.

Ndërkohë, SPAK-u ka vendosur të zgjasë me 6 muaj hetimet për mjekun e QSUT-së, Edvin Prifti, si pjesë e arrestimeve në Gjykatën e Krujës, nën akuzën e korrupsionit.

Prej 11 shkurtit, gjyqtarja Enkelejda Hoxha është arrestuar me urdhër të SPAK-ut.

Bashkë me 9 persona të tjerë të vënë në pranga gjatë operacionit, ata akuzohen se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.

HETIMET PER MJEKUN

Ish-shefi i repartit të kardiokirurgjisë, Edvin Prifti po hetohet nga SPAK-u nën dyshimet se ka abuzuar me tenderët në qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, çka ka gjasa të zgjerojë rrethin e bluzave të bardha apo zyrtarëve të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

“Hetimet në lidhje me Edvin Priftin janë shtrirë edhe në drejtim të disa procedurave të prokurimit të realizuara nga QSUT-ja. Lidhur me këto procedura prokurimi është e rëndësishme të administrohet dokumentacioni, të evidentohet pozita e të dyshuarit, si dhe të pyeten edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, njësisë së prokurimit, apo edhe të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në tender”, thuhet në dokumentin e SPAK-ut, përmes të cilit është firmosur zgjatja e hetimeve për kardiokirurgun edhe për një afat prej 6 muajsh.

Kardiokirurgu është nën hetim prej muajsh, për korrupsion e pastrim parash, pasi ra në rrjetën e përgjimeve, teksa Prokuroria hetonte rastet e korrupsionit në Gjykatën e Krujës, ku sekretarja e këtij institucioni fliste për ryshfet për operacionin e nënës.

Mjeku u pezullua fillimisht nga ushtrimi i profesionit, por gjatë kontrollit në shtëpi e zyrë iu gjetën gjysmë milioni euro, prej nga u ngritën dyshime edhe për vepra të tjera penale.

Në vazhdim, prokurorët specialë këqyrën telefonin e Priftit, kompjuterin e punës dhe një laptop, ku zbuluan të dhëna të reja që i orientuan prokurorët specialë të hedhin sytë nga tenderët.

Prokuroria thotë se gjatë këtyre gjashtë muajve do të thërrasë në dëshmi shumë persona, përfshirë dhe mjekë, të cilët rezultojnë në kontakte telefonike me të dyshuarin Prifti, dëshmia e të cilëve mund t’i shërbejë hetimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat