BKH nis punën, pjesë e saj policë, ushtarakë, ekonomistë, juristë dhe OPGJ

Shqipëria

BKH nis punën, pjesë e saj policë, ushtarakë, ekonomistë, juristë dhe OPGJ

Më: 9 gusht 2021 Në ora: 14:49
SPAK

Byroja Kombëtare e Hetimit nis këtë javë zyrtarisht punën. 27 hetues mbyllën trajnimin dhe tashmë do të jenë në krah të SPAK për të luftuar korrupsionin. Sa i përket të përzgjedhurve për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, vihet re se ka një gamë profesionesh të ndryshme si: policisë, ushtarakë, ekonomistë, jurist, ekspertë kontabël, ish- efektivë policie, etj. Sipas verifikimeve të gazetës, hetuesit janë përzgjedhur me profesione të ndryshme, pasi kështu mund të shkohet më lehtë tek të korruptuarit. Kështu, ekonomistët do të jenë ata të cilët do të verifikojnë pasuritë e njerëzve të korruptuar, se si kanë ndryshuar të ardhurat ndër vite, si edhe transaksionet që janë kryer.

Ndërsa juristët do të jenë më shumë të fokusuar tek abuzimet e ndryshme të detyrës që mund të kenë bërë zyrtarët. Po ashtu, për rreth dy vite pranë ambienteve të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë të pranishëm edhe agjentë të FBI të cilët do të shohin më nga afër procesin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rol të rëndësishëm, pasi ekspertët e FBI amerikane do të përgatisin hetuesit tanë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që një vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe korrupsionit. Përmes programeve të trajnimit, anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të mësojnë sesi të bien në gjurmët e parave të korrupsionit dhe ta luftojnë këtë fenomen në tërësi. Trajnime do të ketë edhe për përgjimet, por edhe për të shmangur krimin kibernetik, ndërsa për të gjitha këto, do të mbahen orë të specializuara.

SHBA paralajmëron arrestime të bujshme

Ndërkohë, zëvendës ambasadori i SHBA Demian Smith, pak ditë më parë teksa uroi të përzgjedhurit për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u shpreh se të zgjedhurit që do të bëhen pjesë e SPAK do të punojnë fortë për të luftuar korrupsionin dhe krimin në vend. Ai theksoi se dy prej institucioneve të drejtësisë tashmë kanë nisur së funksionuari.

Teksa iu drejtua të përzgjedhurve, zëvendës ambasadori i SHBA, u shpreh se duhet që të bëhet ndjekja penale ndaj gjithë atyre që shkelin ligjin. Ai theksoi se ditët e pandëshkueshmërisë për të korruptuarit tashmë u ka ardhur fundi. “Qëndroni pjesë e luftës. Partnerët tuaj rreth e rrotull botës mund të hedhin dritë mbi aktorët e këqij, por do të jetë SPAK-u që do të bëjë punën e vështirë: hetimin dhe ndjekjen penale, duke punuar dorë për dorë për të përmbysur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ndërsa dilni nga ky diplomim, ju do të jeni pjesë e një kapitulli të ri të institucioneve të pavarura, të besuara, efikase dhe të besueshme. Ky sotmi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Byroja Kombëtare e Hetimit do t’i tregojë Shqipërisë se askush nuk është mbi ligjin dhe se ai zbatohet njësoj për të gjithë. Ditët e pandëshkueshmërisë së të pasurve dhe të fuqishmëve kanë mbaruar. Këtë e kërkon populli shqiptar”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat