Shqipëria pa kapacitete njerëzore dhe mjete për emergjencat civile

Shqipëria

Shqipëria pa kapacitete njerëzore dhe mjete për emergjencat civile

Më: 11 gusht 2021 Në ora: 16:36
Ilustrim

Pas më shumë se dy javë përpjekjesh të Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe ndihmës së helikopterëve në gadishullin e Karaburunit u shuan të gjitha vatrat e zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha sot (11.08.) se fitorja e betejës me zjarrin në Karaburun është rezultat i ”qindra orëve përpjekje të Forcave të Armatosura, atyre zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave civile”.

Shuarja e të gjitha vatrave të zjarrit në Karaburun ka një rëndësi të madhe që flakët të mos shpërndahen nga era në Parkun Kombëtar të Llogarisë.

Image
Gadishulli i Karaburunit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se që nga fillim i zjarreve deri tani janë shuar 175 vatra zjarri , janë angazhuar 3 mijë trupa të Forcave të Armatosura dhe 1.500 zjarrfikës në të gjithë vendin.

9 vatra agresive zjarri – ende të pashuara

Zjarri në Malin e Rrunës (Kukës), që u përhap mbi tunelin e Kalimashit në autostradën Shqipëri-Kosovë vazhdon të jetë i pashuar dhe përbën vatrën më shqetësuese të zjarrit.

Forcat e Armatosura vendase dhe ato të Forcave të Sigurisë të Kosovës, po përpiqen të ndalojnë zjarrin në zonat ku ai është më intensiv dhe që të mos u afrohet zonave të banuara. "Terreni i pjerrët shkëmbor ndërlikon punën e forcave nga toka” njofton deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes.

Image

Një tjetër vatër e rrezikshme zjarri mbetet ajo në Thirë të Mirditës, ku po synohet ndërprerja e përhapjes së flakëve, që të mos arrijë në zonat e banuara.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes vatra aktive zjarri vazhdojnë të ketë në qarkun e Beratit, Durrësit, Lezhës, Voskopojës, Pogradecit, Korꞔës, Vlorës, Tiranës. Në asnjë prej këtyre qarqeve nuk rrezikohen zonat e banuara

Sa e përgatitur është Shqipëria t'u përgjigjet emergjencave civile?

Në raportin diagnostikues "Vlerësimi i përgatitjes dhe i përgjigjes ndaj emergjencave” të publikuar në maj të këtij viti, Banka Botërore analizon situatën në pesë vende të Ballkanit Perëndimor: Bosnjë-Herzegovinë, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Sipas këtij raporti Shqipëria është e papërgatitur për t'iu përgjigjur emergjencave civile të tilla si "tërmete, zjarre në pyje dhe rrëshqitje toke.”

"Sistemit të përgatitjes dhe i përgjigjes ndaj emergjencave civile i mungon baza operacionale për të pasur efektivitet dhe përgjigje ndërinstitucionale ndaj fatkeqësive natyrore në shkallë të gjërë” vë në dukje Banka Botërore në raportin e saj diagnostikues për Shqipërinë.

Image
Banka Botërore: Shqipëria është e papërgatitur për emergjencat civile

Raporti në fjalë konstaton që "Shqipëria duhet të largohet nga një qasje reaktive ad hoc në përgjigjen e saj ndaj emergjencave dhe fatkeqësive të natyrës.”

Sistemi i përgatitjes dhe përgjigjes ndaj emergjencave civile duhet të funksionojë në mënyrë të vazhdueshme , të qëndrueshme dhe të integruar, sipas një vizioni strategjik afatgjatë, duke pasur parasysh sfidat e reja si ndryshimet klimatike, pandemitë dhe rritjen e turizmit, sugjeron Banka Botërore.

Shqipërisë i duhen shumë investime për emergjencat civile

Përgjigja ndaj emergjencave civile në mënyrë efektive, profesionale dhe koherente kërkon pajisje dhe teknologji të kohës, pasi ato ekzistueset janë në prag të skadimit të afatit brenda të cilit mund të përdoren me efikasitet, vë në dukje BB. Krahas kësaj lypsen edhe kapacitete njerëzore të stërvitura. Të tilla kapacitete raporti diagnostikues i BB i vlerëson si ”burimin më të vlefshëm për t'iu përgjigjur çdo emergjence civile dhe fatkeqësie natyrore.”

Image
Banka Botërore: E domosdoshm është dhe kultura e gatishmërisë dhe reagimi si nga subjektet politike ashtu edhe publiku

Banka Botërore thekson gjithashtu domosdoshmërinë e një "kulture gatishmërie dhe reagimi si nga subjektet politike ashtu edhe publiku, gjë që kërkon stërvitje intensive të gjithë atyre që janë të përfshirë në sistemin e përgatitjes dhe të përgjigjes ndaj fatkeqësive natyrore, që publiku të ketë besim tek sistemi.”

Investimet për të modernizuar sistemin në një periudhë trevjeçare kapin shifrën e rreth 100 milion dollarëve, llogarit Banka Botërore në raportin e saj diagnostikues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat