Gjendet depoja ku u blenë kallëpet e tritolit që iu vendos impiantit të çimentos

Shqipëria

Gjendet depoja ku u blenë kallëpet e tritolit që iu vendos impiantit të çimentos

Më: 18 gusht 2021 Në ora: 16:33
Depoja ku u blenë kallëpet e tritolit që ju vendos impiantit të çimentos

Gjatë hetimeve të kryera për vendosjen e 50 kg tritol në kolonat mbajtëse të impiantit të çimentos që i përket kompanisë “Eurotech Cement”, policia dhe prokuroria e Durrësit kanë mundur të gjejnë vendin se ku është blerë sasia e tritolit.

Kallëpët e eksplozivit kanë logot përkatëse të markës së prodhimit dhe nisur nga informacionet se kush kompani i tregton ato në Shqipëri, policia ka mundur që të gjejë shitësin e këtij malli.

Ky tregtar është marë në pyetje për sa i përket njohurive të tij, se kush ishte personi që u paraqit në magazinë për të blerë sasinë e tritolit.

Por tregtari tregon se sasinë e tritolit ja shesin vetëm kompanive të guroreve dhe jo individëve privatë që nuk kanë një licencë për përdorimin e sasive të eksplozivit.

Tregtari u ka treguar policisë listën e kompanive me të cilën ka marrëdhënie tregtare, duke përjashtuar në mënyrë kategorike që tritoli të kishte dalë nga depoja e tij, tek individë privatë të palicensuar.

Ndërkohë gjatë këtyre ditëve, hetimi për këtë ngjarje është përqëndruar pikërisht në analizimin e pamjeve filmike të biznesit të çimentos.

Por për shkak të errësirës dhe mbulimit të përsosur me veshje ushtarake, kamerat nuk kanë kapur asnjë imazh identifikues të tre personave që kanë instaluar sasinë e tritolit.

Njëherësh grupi i hetimit ka shtrirë verifikimet edhe tek disa biznese të tjera private, nga të cilat janë tërhequr filmimet nga kamerat e sigurisë.

Sipas policisë të gjithë kallëpet e tritolit janë lidhur me fitila dhe kapsolla, të cilët mernin rrymë elektrike nga një bateri makine që autorët e kishin sjellë me vete.

I gjithë momenti i montimit të sasisë së tritolit është parë nga roja që ishte lidhur me ngjitës natriban, ndërsa sipas dëshmisë së tij në polici, ky proces ka zgjatur për më shumë se 1 orë.

Autorët janë larguar nga ambjentet e biznesit me automjetin që kishin ardhur, duke lënë rojen e lidhur dhe duke lënë gjithçka të përgatitur mirë, me idenë se shpërthimi do të kryhej sipas preçizionit kohor që ata i kishin kurdisur.

Por fatmirësisht shpërthimi nuk është kryer megjithëse sipas burimeve policore gjithçka ishte lidhur në mënyrë perfekte.

Efektivët e policisë që shkuan në vendgjarje dhe forcat xheniere, i thanë grupit hetimor se voltazhi i ulët i baterisë ka sjellë dëshminë e kësaj ngjarje kriminale, ku padyshim nëse do kishte një shpërthim padiskutim që veç dëmeve materiale mund të kishte dhe viktima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat