Strehimi i afganëve, Xharra: Kemi bërë një veprim të duhur me përgjigjen pozitive që i kemi dhënë SHBA-së

Shqipëria

Strehimi i afganëve, Xharra: Kemi bërë një veprim të duhur me përgjigjen pozitive që i kemi dhënë SHBA-së

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 21:44
Arbana Xharra

Administrata Biden po përballet me kritika për Afganistanin. Gazetarja Arbana Xharra në një intervistë me skype për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj thotë se kritikat kryesisht janë për evakuimin e bashkëpunëtorëve afganë që do të duhej të kishte qenë më i shpejtë dhe më i mirëorganizuar.

Xharra: Ka reagime sepse është dashur të jetë më mirë e organizuar që të evakuohen të gjithë aleatët amerikanë dhe ato pamje që pamë bënë që të rritet edhe më shumë reagimi publik dhe presioni ndaj administratës Biden.Ka qenë një lodhje, shpenzime dhe humbje të mëdha. Ka një pajtueshmëri që të largoheshin forcat amerikane, votuesit e administratës Biden, të gjithë e dinë se cili ka qenë qëndrimi i demokratëve. Por pamjet që pamë sollën reagime më të mëdha këto ditë. Reaguan edhe vendet e NATO-s të cilët thanë se ky vendim u bë pa marrëveshje të afërt me ta dhe për këtë po diskutohet çfarë po ndodh me refugjatët afganë.

Vendimi i Shqipërisë dhe Kosovës për t'iu përgjigjur pozitivisht SHBA për strehimin e afganëve sipas Xharrës ishte i duhuri.

Duke sjellë në vëmendje se edhe vetë ka qenë refugjatë në Shkodër, ajo thotë se kjo e bën të jetë më e ndjeshme ndaj kësaj çështje.

Xharra: Administrata Biden kërkoi nga aleatët amerikanë, shqiptarët dhe mendoj se kemi bërë një veprim të duhur me përgjigjen pozitive që i kemi dhënë SHBA për pranimin e afganëve. Shqiptarët njihet historikisht që në Luftën e Dytë Botërore për pranimin e refugjatëve, hebrenjve. Pastaj çfarë ndodhi me luftën në Kosovë. Unë kam qenë refugjate në Shqipëri, në Shkodër dhe të gjitha ato pamje të bëjnë të kesh një ndjeshmëri se çfarë po ndodh me civilët atje.

Shqipëria është aleate e NATO-s dhe aleate e SHBA. Mali i Zi refuzoi të pranojë refugjatë. Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria pranuan. Edhe fakti se administrata Biden ishte më komode të na kërkonte ne të pranojmë refugjatë tregon edhe për aleancën dhe përparësinë që kemi. Edhe Kanadaja është një vend që pranoi të marrë refugjatë dhe asnjë vend tjetër. Europa ka edhe probleme dhe ankesa me refugjatët sirianë, Turqia po ashtu përballet me numër të madh refugjatësh. E dimë që Kosova dhe Shqipëria nuk janë vende shumë stabile në aspektin financiar por administrata Biden do të mbulojë të gjithë shpenzimet për këto 12 muaj derisa të përcillen për në SHBA. Përtej kësaj është një vendim shumë i rëndësishëm.

Gazetarja vlerëson se kjo gatishmëri e dy shteteve shqiptare nuk do të kalojë pa mirënjohjen e SHBA në sfidat me të cilat ato do të përballen në të ardhmen, përfshirë edhe dialogun e Kosovës me Serbinë.

Xharra: Kjo është një përgjigje dhe gatishmëri haptazi ndaj SHBA se ne jemi me ju, se ne ju mbështesim ndaj çdo vendimi, që ne jemi aleatët tuaj në Ballkan. Ne e dimë që në rrafshin gjeopolitik, sidomos 10 vitet e fundit rritja e apetiteve të Turqisë dhe Rusisë me Serbinë, ndaj është shumë e rëndësishme për SHBA të ketë aleancë me shqiptarët edhe në aspektin gjeopolitik strategjik, ky ishte një momentum shumë i rëndësishëm si ne vepruam. Normalisht që do të përkthehet dhe në proceset e  mëtejshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kemi shpresuar dhe urojmë të kemi përfshirje më të madhe të SHBA në dialog, BE nuk ka qenë shumë efektive. Por përtej dialogut do të kemi dhe sfida të tjera  dhe SHBA do të na jenë gjithmonë mirënjohës për këtë vendim dhe të tjerat. Në dy dekadat e fundit çfarëdo që është kërkuar nga SHBA kemi bërë çfarë është kërkuar nga cilido president. Është një mesazh direkt për vendet e tjera. E dimë që kemi armiq.Është Rusia që tani për tani ka rritur edhe më shumë orekset në Lindjen e Mesme, Turqia po ashtu, Irani, Kina. Vetë fakti që ata shohin se shqiptarët kanë një aleancë më të ngushtë dhe më të afërt me SHBA është një mesazh që u dërgohet direkt edhe këtyre shteteve që bashkarisht janë një axhendë antiamerikane dhe antiperëndimore.

Ndërkaq ajo tërheq vëmendjen se gabimisht po hiqet një paralele mes Kosovës dhe Afganistanit.

Xharra: Ne jemi projekt amerikan. Ndërsa në Afganistan, SHBA nuk kanë qenë për të bërë shtet atje, shkuan pas sulmeve të 11 shtatorit sepse Al-Qaeda e përdorte atë terren për të kërcënuar Perëndimin. Kosova ishte diçka tjetër, u shkaktua gjenocidi. Edhe pas përfundimit të luftës ne u bëmë projekt amerikan, SHBA u angazhuan për njohje të Kosovës.

Xharra thotë se përkundër hulumtimeve deri tani nuk ka gjetur të dhëna të sakta sa do të jetë numri i afganëve që do të strehohen në Shqipëri, Kosovë apo vendeve të tjera.

Udhëtimet nga Kabuli pezull

Nuk kemi informacion përveç asaj që përcjellin mediat dhe korrespondentët atje. Turqia kërkoi të marrë në kontroll fazën e tranzicionit në aerportin e Kabulit dhe nuk u përkrah nga SHBA. E pamë kaosin që ndodhi në aeroport. Do të jetë shumë më e vështirë tani e tutje të bëhet evakuimi. U tha se do të qëndrojnë disa trupa atje por ende nuk dihet. Është situatë konfuze. Po kërkohet të largohen por si do bëhet, në çfarë forme sepse talibanët kanë marrë gjithçka në kontroll. Mbetet për t'u parë.

Çfarë ndodh me gratë nën regjimin e talibanëve?

Kam një mike shumë të afërt që është pilotja e parë afgane. Ajo më ka informuar për gjithçka. Nuk është vetëm tani që talibanët kanë marrë gjithçka në kontroll sepse talibanët ishin atje edhe gjatë kohës kur ishin trupat amerikane. Janë të tmerrshme vuajtjet. Tani për tani është ndaluar gjithçka. Gratë nuk mund të dalin në rrugë pa qenë në shoqërinë e një mashkulli. Ka pasur sulme ndaj grave që kanë punuar në banka, është kërkuar të zëvendësohen me burra.Pamë  një rast kur një grua në muajin e dytë të shtatzanisë është rrahur në rrugë nga talibanët dhe më pas i kanë nxjerrë dy sytë, ëhstë një terror i tmerrshëm që po ndodh dhe do të ndodhë në vazhdimësi sidomos ndaj grave.

Derë më derë në kërkim të bashkëpunëtorëve të Perëndimit

Ka përkthyes e gazetarë.Kjo ishte dhe kritika ndaj administratës Biden, pse nuk është bërë evakuimi  pak më i hershëm dhe më i mirëorganizuar para se tërhiqeshin të gjitha trupat amerikanë, sidomos aleatët e SHBA.Talibanët po trokasin derë më derë dhe po kërkojnë të gjithë zërat kundër këtij regjimi.

Frika për tërheqje të amerikanëve dhe në vende të tjera

Ka një shqetësim se edhe në vendet e tjera ku ka prezencë amerikane mund të ketë tërheqje brenda natës.

Një 11 shtator i dytë?

Kur u vendos të largoheshin trupat amerikane nga Afganistani ishte një vendim bazuar në uljen e rrezikshmërisë. Nuk flitet për një rrezik potencial, shqetësimi është për civilët afganë atje. Por në rrjetet sociale ka reagime, sidomos për largimin e refugjatëve se mos brenda tyre mund të ketë talibanë. Por mendoj se talibanët tani kanë interesa të tjera sepse janë në pushtet, do kërkojnë të kenë ndikim më të madh. Nuk flitet konkrtetisht për një rrezik potencial të sulmeve terroriste, më tepër është shqetësim se çfarë do të ndodhë në Lindjen e Mesme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat