Rama publikon javën tjetër përbërjen e qeverisë së re

Shqipëria

Rama publikon javën tjetër përbërjen e qeverisë së re

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 16:30
Edi Rama

Përbërjen e qeverisë së re do të bejë publike javën e ardhshme. Por kryeministri Rama, teksa bëri bilancin e mandatit të dytë, la të kuptojë se disa nga ministrat do të rikonfirmohen. 

“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju natyrisht do të vazhdoni të gjithë punën deri në minutën e kalimit të detyrës”.

Për të gjithë sektorët ai vetë vlerëson se kanë pasur arritje pozitive pavarësisht goditjes sizmike të 2019-ës dhe goditjes pandemike që vijon.

“Mbyllet me një notë pozitive besoj unë. Jam sinqerisht krenarë që ja dolëm pjesës më të vështirë të këtyre sfidave ekstreme që shfaqen në rrugën e një qeverie njëherë në 100 vjet.”

Pikërisht me përballimin e pandemisë të fundit zgjodhi ta nis mbledhjen ndër të paktat të hapur për mediat në këto 8 vite, dhe apeloi për vaksinim si e vetmja mënyrë për të shpëtuar jetën nga Covid-19.

“Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni…”

Në këtë pikë, kryeministri bëri publike dhe vendimin e Najada Çomo për të mos e mbajtur mandatin e deputetes pasi ka vendosur të mbaj veshur bluzën e bardhë të mjekes dhe detyrën e shefes së infektivit, teksa pandemia po rrit sërish numrin e të infektuarve.

“Jam sinqerisht i prekur nga komunikimi me doktoreshë Najada Çomon. Ajo më kërkoi para pak kohe tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes së sapozgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.”

Me emër të përveçëm zgjodhi të veçoi për punën e mirë dy nga ministret, atë të Shëndetësisë dhe atë të Infrastrukturës, sektorë ku foli vetëm për arritje.

“Dua të falenderoj këtu Ministren e Shëndetësisë e cila përgjatë afro 18 muajve të stërvështirë e mishëroi me dinjitet të lartë qëllimin themelor të kësaj qeverie për të qenë një qeveri e punës. Nga ana tjetër falë punës së përkushtuar po ashtu edhe drejtimit shumë këmbëngulës të Ministres në një periudhë kohore posaçërisht të vështirë sot Kukësi është bërë më në fund me aeroport ndërkombëtar.”

Në disa sektorë pranoi se ka pasur probleme dhe premtoi se situata do të ndryshojë në mandatin e tretë.

“Nuk jam aspak krenar për gjendjen tërësore të Universiteteve.”

Në Diplomaci kryeministri shprehu gatishmërinë për një nivel tjetër bashkëpunimi me Kosovën pavarësisht qëndrimit të qeverisë aty për nismën e Ballkanit të Hapur dhe tha se sulmet nga Kosova janë për politikë të brendshme.

“Polemikat për “Ballkanin e Hapur” dhe akuzat e hatashme nuk më shqetësojnë fare ka shumë tym dhe shumë zjarr të ndezur për qëllime të politikës së ditës. Ndërkohë që kam besim se me qeverinë e Kosovës do të bëjmë plot punë të mira në interes të përbashkët, pavarësisht mosdakordësisë së kolegëve në Kosovë me “Ballkanin e Hapur”.”

Çka është bërë për digjitalizimin e shërbimeve e cilëson historike edhe për luftën ndaj korrupsionit.

Kryeministri tha se socialistët kanë një avantazh në qeverisje, pasi veç atyre që do të përfshihen në ekzekutiv, kanë një skuadër me shumë zgjedhje, aq sa kanë luksin të mbajë shumë prej tyre në stolin e rezervave, si një mundësi për të rinovuar skuadrën drejtuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat