Shqipëri, shqetësim për rritjen e dhunës në familje

Shqipëria

Shqipëri, shqetësim për rritjen e dhunës në familje

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 00:36
Ilustrim

Në Shqipëri, organizatat joqeveritare po shprehin shqetësim në lidhje me përmasat në rritje të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Sipas tyre, vetëm gjatë këtij viti në rajonin e Shkodrës janë evidentuar 178 raste të dhunës në familje, kryesisht ndaj grave dhe vajzave të moshës nga 20 deri në 35 vjeç. Përfaqësuese të “Qendrës kombëtare për shoqërinë civile” thonë se, përveç grave, dhuna në familje ka prekur edhe fëmijet.

Qendra e gruas “Hapat e lehtë” ndodhet në një nga lagjet e vjetra të qytetit të Shkodrës. Thuajse çdo ditë ajo pret gratë dhe vajzat, që përjetojnë dhunë, duke i mbështetur ato me shërbime psiko-sociale dhe juridike. Historitë e tyre janë të ndryshme, por të gjitha dëshmojnë për dhunën që vazhdon të jetë ende e pranishme në familje. Një grua 52 vjeçare, viktimë e dhunës nga burri, duke fshehur identitetin e saj, i tha “Zërit të Amerikës” se jeta e saj është në rrezik.

“Mendojsha me ba një jetë si e kisha andër, por në fakt nuk ndodhi ashtu. Vuajtjet e mija nuk krahasohen. Kam vujt, gurin e gjakun, si i thonë. Me ditë të tana e nxime, duke prit sa të më ikin shenjat e dhunës, që me bante burri, Mandej nuk më lëshonte prej dhomës, që të mos e merrte vesht askush. Nuk mujsha me i thanë as babës, sepse kështu kishte vujtë edhe nana jeme.”

Koordinatorja rajonale e "Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile", Arbana Dibra, i tha Zërit të Amerikës se rastet e dhunës ndaj grave janë në rritje dhe se vetëm në rajonin e Shkodrës janë 160 persona të dëmtuar nga fenomeni i dhunës në familje apo dhunës me bazë gjinore, 80 prej të cilëve janë paraqitur pranë komisariatit të policisë për të marrë urdhër paraprak të mbrojtjes.

“Duke j’u referuar këtyre rasteve, që janë monitoruar në Bashkinë e Shkodrës, unë kam vënë re se dhuna në familje nuk ka prekur vetëm çiftin bashkëshortor, por ka prekur fëmijët, ka prekur edhe moshat e treta. Pra, prindërit që kanë jetuar me çiftin e të rriturve të prekur nga dhuna. Duke patur parasysh ketë, duhet t’i kushtohet më tepër vemendje parandalimit të këtyre rasteve dhe denoncimit të tyre.”

Vitet e fundit, thotë koordinatorja Dibra, është rritur puna dhe bashkëpunimi mes organizatave joqeveritare, Ministrisë së Drejtësisë, policisë, prokurorisë dhe gjykatave për monitorimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familja. Megjithatë, dhuna vazhdon të jetë e pranishme brenda familjes, por edhe jashtë saj. Koordinatorja Dibra apelon për një përgjegjësi më të madhe edhe të burrave në edukimin brenda familjes.

“Fatkeqësisht shikojmë raste të rritjes së dhunës në familje. Dhe këtu unë do të kërkoja një vemendje shumë më të madhe të të gjithë komunitetit. Nuk them që përgjegjësia të bjerë vetëm tek nënat, që rrisin djemtë, por them që kjo përgjegjësia të shpërndahet edhe tek baballarët. Ka ardhur koha që baballarët të jenë më të kujdesshëm, më të vëmendshëm në mënyrën se si ato po i rrisin djemtë e tyre.”

Gjatë këtij viti, sipas organizatës “Gruaja tek gruaja”, ka patur një rritje të rasteve të dhunës, jo vetëm mes partnerëve, por edhe ndaj fëmijëve. Kështu, nga janari deri në fund të muajit gusht, pranë kësaj qendre janë paraqitur 178 raste të dhunës, kryesisht ndaj grave dhe vajzave të moshës nga 20 deri ne 35 vjeç dhe me martesa të hershme. Punonjësja sociale Tonilda Çela, tha për Zërin e Amerikës se është e rëndësishme që, në këto raste, komuniteti dhe mediat të fokusohen tek fenomeni dhe jo tek rasti, pasi ky sjell diskriminim të mëtejshëm të grave.

“Ajo që ne na shërben është që me mujtë me kontribu, me dhanë kontributin tonë si qytetarë të thjeshtë, duke u marrë me fenomenin, për me mujtë me e zgjidhë sadopak. Me e zbutë sadopak fenomenin e dhunës në familje dhe jo me u fokusu tek rasti, duke e riviktimizu edhe një herë figurën e vajzës apo të gruas. Dhe këtu fillon edhe një herë diskriminimi gjinor, pabarazija gjinore dhe shkelja e të drejtave të grave dhe vajzave”, thotë ajo.

Rastet në rritje të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, disa herë përfundojnë në dhunë ekstreme ndaj grave apo vajzave. Vetëm gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, 6 gra kanë humbur jetën nga dhuna e burrave. Ndërsa që nga viti 2013, krimi në familje ka marrë jetën e 146 personave në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat