Nxënësit e Suçit në Klos protestë për shkollën e dëmtuar

Shqipëria

Nxënësit e Suçit në Klos protestë për shkollën e dëmtuar

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 20:16
Foto ilustrim

Mësimi plotësues u bojkotua nga nxënësit e shkollës së bashkuar në Suç të Klosit, dhe u kthye në një protestë për shkollën e dëmtuar. Godina ku ata mësonin u mbyll pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, dhe prej asaj kohe 250 nxënës detyrohen të bëjnë mësimin në ambiente që i cilësojnë të papërshtatshme.

Rreth 250 nxënësit e shkollës së bashkuar “Haxhi Lata” në Suç të Klosit e bojkotuan në shenjë proteste nisjen e mësimit plotësues.

Me prindërit në mbështetje u mblodhën para godinës së shkollës që qëndron e mbyllur pasi u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

"Tërmeti ka rënë në nëntor, 6 muaj vazhdoi shkolla derisa u mbyll në qershor. Pas mbylljes së shkollës i regjistruan nxënësit dhe futën një gënjeshtër deri në janar."

Vitin e  kaluar, ata e zhvilluan mësimin në fshatin Kujtim në një objekt që sipas tyre është i papërshtatshëm dhe ku nuk duan të rikthehen.

"Te kisha nuk shtyhet më."

"Nuk ishte shkollë por shkollë e prishur."

Prej dy vitesh godina qëndron e kyçur dhe ende nuk ka asnjë vendim nësë ajo do të shembet apo do të rikonstruktohet.

"Duhen specialistë, shkolla nuk ka lëvizur, është si ka qenë."

Prindërit e mbledhur nga fshatrat e njësive Suç e Gurrë, thonë se dërgimi i fëmijëve në shkolla të tjera është kosto e shtuar, ndaj thonë se bojkoti do të vijojë edhe me nisje e vitit të ri shkollor.

"Bojkotojmë fillimin e mësimit në shkolla të tjera."

Bashkia e Klosit thuhet se është në pritje të një vendimi përfundimtar nga Instituti i Ndërtimit në Tiranë se çfarë duhet bërë me shkollën e Suçit.

Prindërit nga ana tjetër kërkojnë rivlerësim me ekspertë të pavarur, ndërsa nxënësit një vend të përshtatshëm për të mësuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat