Shëndetësia, Infrastruktura, Arsimi dhe Kultura/ Rama nuk bën asnjë lëvizje në 4 ministri të drejtuara nga gra

Shqipëria

Shëndetësia, Infrastruktura, Arsimi dhe Kultura/ Rama nuk bën asnjë lëvizje në 4 ministri të drejtuara nga gra

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 13:27
Ministret në Qeverinë e Edi Ramës

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të mos bëjë asnjë ndryshim në katër ministri që drejtohen nga gra. Bëhet fjalë për ministrinë e Shëndetësisë, të drejtuar nga Manastirliu, për ministrinë e Infrastrukturës të drejtuar nga Balluku, për atë të Arsimit të drejtuar nga Kushi dhe të Kulturës të drejtuar nga Margariti.

Ogerta Manastirliu – Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies

Ogerta Manastirliu ka lindur në Tiranë më 31 dhjetor 1978. Ajo është e martuar dhe është nënë e dy vajzave.

Manastirliu mban titullin “Doktor i Shkencave”, në “Kimi Analitike dhe Mjedis”. Më herët ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi e Përgjithshme, ku është diplomuar dhe ka marre titullin “Master në Shkencë”, në po të njëjtën degë. Prej vitit 2009 është angazhuar si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Në vitin 2004 ka nisur karrierën profesionale në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social. Në këtë detyrë, Manastirliu ka qenë një nga kontribuueset kryesore në hartimin dhe vënien në zbatim të “Strategjisë Lokale të Strehimit Social”.

Në periudhën 2011-2013, ajo është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung etj.

Në periudhën Shtator 2013–Mars 2017, Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ajo ka një aktivizim të gjatë në radhët e Partisë Socialiste dhe është anëtare e Asamblesë Kombëtare. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Manastirliu zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

Belinda Balluku – Ministre e Infrasktrukturës, Energjisë

Belinda Balluku ka lindur në Tiranë, në 9 tetor 1973. Ajo është nënë e dy fëmijëve, Colin dhe Belen.

Balluku para emërimit në detyrë si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbajtur nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në ALBCONTROL Sh.A., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë. Balluku është diplomuar me titull nderi nga IATA (International Air Transport Association) për Menaxhimin e Shërbimeve të Lundrimit Ajror (Air Navigation Services Management). Gjithashtu ka përfunduar me arritje të shkëlqyera Diplomën e Përgjithshme të Menaxhimit, pranë IATA, Miami, USA. Ajo mban titullin juriste dhe në vitin 1999 është diplomuar në Institutin Teknologjik të Athinës, në degën Administrim Biznesi. Balluku ka një sërë kualifikimesh të tjera në fushat e Sigurisë Ajrore, Telekomunikacionit, Burimeve Njerëzore, Menaxhimit të Qeverisjes Vendore dhe Drejtimit të Institucioneve Sociale. Gjatë kryerjes së detyrës së Drejtores së Përgjithshme të ALBCONTROL, Belinda Balluku është përzgjedhur si një nga 12 anëtarët e Bordit të Agjencive të Lundrimit Ajror (ANSB), pranë EUROCONTROL. Ky bord përfaqëson të gjithë grupet e interesit në menaxhimin e trafikut ajror dhe integrimin e tyre në stukturat drejtuese e vendimmarrëse të EUROCONTROL në mbështetje të Qiellit të Vetëm Evropian (SES).

Kontributi i Balluku në fushën e aviacionit shqiptar është vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, ajo ka nxitur bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë fqinje si dhe integrimin e ALBCONTROL në organizmat evropianë. Ka mundësuar realizimin e ndryshimeve të mëdha në ALBCONTROL duke synuar rritjen e standarteve dhe përafrimin e tyre me ato të Komunitetit Europian përfshirë realizimin e objektivave pan europiane si FRA dhe MLAT.  Balluku ka një experience të gjerë edhe në fushën e telekomunikacionit e cila ka nisur në nëntor të vitit 2000, menjëherë pas privatizimit të kompanisë më të madhe shtetërore të telefonisë celulare AMC, sot Telecom Albania, pjesë e grupit T- DeutscheTelecom. Balluku ka mbajtur pozicione të larta drejtuese fillimisht si Drejtore e Kujdesit Ndaj Klientit ku dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri shërbimin e Call Center, dhe më pas Drejtore e Marketingut. Gjatë kësaj periudhe dinamike për kompaninë AMC,  Balluku ka qenë pjesë e bordit vendimmarrës.

Në vitin 2004, Balluku i është bashkuar stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka udhëhequr zhvillimin e strategjive të komunikimit me publikun dhe mediat. Ajo ka qenë pjesë aktive për krijimin e ndërfaqes së pritjes së popullit dhe ka menaxhuar më pas me sukses koordinimin mes Kryetarit dhe drejtorive ekzekutive të Bashkisë së Tiranës. Prej vitit 2006, Balluku ka qenë pjesë vitale e Partisë Socialiste. Ajo ka marrë pjesë në shtabet elektorale, ka organizuar evente të rëndësishme politike dhe ka drejtuar Kabinetin e Kryetarit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012. Përgjegjësia sociale është një fushë ku Balluku ka dhënë në vazhdimësi kontributin e saj duke qenë e pranishme përmes projekteve dhe nismave komunitare.

Evis Kushi – Ministre e Arsimit

Evis Kushi lindi më 7 tetor 1975 në Elbasan. Ajo është e martuar dhe ka 2 vajza.

Kushi është diplomuar në vitin 1997 në degën Administrim ‐ Biznes (Marketing), Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2008 fitoi gradën shkencore “Doktor” (PhD) në Ekonomiks-Turizëm, Universiteti “Staffordshire”, Angli.

Në nëntor të 2010 fitoi titullin akademik “Profesor i Asociuar,” në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Gjashtë vjet më vonë, më 26 korrik 2016, Kushi mori edhe titullin akademik “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Evis Kushi e nisi karrierën e saj në vitin 1998 si lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, në lëndët kryesore “Bazat e Marketingut” dhe “Ekonometri” (1998‐2012). Mes viteve 2010‐2012, Kushi mbajti pozicionin e shefes së Departamentit “Ekonomia dhe e Drejta”, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Në 2012‐2013 shërbeu si dekane e Fakultetit të Ekonomisë, në po këtë universitet.

Nga viti 2013 e në vazhdim, Kushi është deputete e Qarkut të Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka qenë pjesë e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Njëkohësisht, ka shërbyer edhe si pedagoge me kohë të pjesshme në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan dhe në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Për sa u përket aktiviteteve shoqërore politike, Evis Kushi është anëtare e Partisë Socialiste që prej Marsit 2013 dhe anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste që prej Prillit 2016. Deri në momentin e marrjes së pozicionit të ministrit, ajo ka qenë Nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Kushi ka marrë pjesë në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është autore e bashkëautore e një sërë artikujsh shkencorë në revista brenda e jashtë vendit.

Ajo flet rrjedhshëm gjuhën angleze, franceze dhe atë italiane.

Elva Margariti – Ministre e Kulturës

Elva Margariti ka lindur në Tiranë, më 14 qershor 1980. Margariti është e martuar dhe ka një vajzë.

Në vitin 2008, Margariti përfundoi me vlerësimin maksimal studimet universitare (Master Shkencor) për Arkitekturë në Universitetin e Firences, Itali, në fushën e projektimit, rikualifikimit e rijetëzimit të hapësirave të ndërtuara dhe bio-arkitekturës. Në vitin akademik 2004-2005, eksperiencat e saj studimore në fushën e projektimit, sipas principeve të bio-arkitekturës, u thelluan në Finlandë, në Tampere University of Technology. Në vitin e mëvonshëm 2006, u pasuruan në fushën e rijetëzimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet ruajtjes së teknikave tradicionale, në Tongji University of Technology të Shangait. Po atë vit u përfshi në ekipin për projektimin dhe organizimin e ekspozitës “Cultural Heritage Preservation Rehabilitation and Reuse. The Tuscan Tradition”, në Urban Planning Exhibition Hall të Shangait.

Pas aprovimit të komisionit ekzaminues në provimin e shtetit italian për ushtrimin e profesionit, Margariti u licencua pranë Urdhrit të Arkitektit në Firence (2008). Ka një eksperiencë relativisht të gjatë si profesioniste e lirë në fusha të ndryshme të arkitekturës dhe planifikimit e zhvillimit urban, dhe si bashkëpunëtore e disa studiove të projektimit si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri. Prej vitit 2009 bashkëpunon me studio projektimi e asiston firma zbatuese në Firence, për projektet e ndriçimit për arkitekturën dhe jetësimin e tyre. Eksperiencat në këtë fushë kanë kulmuar me ekspozitën “Lo stile dello Zar” (2009) në Museo del Tessuto në Prato të Italisë dhe në ekspozitën permanente në Museo di Storia della Scienza “Galileo Galilei” në Firence (2010).

Prej vitit 2015, për një periudhë 3 vjeçare, Margariti mbulon rolin e koordinatores didaktike për programin e studimit Master Shkencor në arkitekturë” dhe programit të studimit Bachelor në inxhinieri ndërtimi e mjedisi, pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në bashkëpunim me Universitetin e Firences.

Prej qershorit 2018, Margariti mbajti detyrën e Këshilltares për Territorin dhe Koordinatores Kombëtare për Programin e Integruar për Zhvillimin Rural (Programi 100 Fshatrat) pranë Kryeministrit të Shqipërisë.

Margariti zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat