Bashkia Kuçovë e “Salillari”, po ndërtojnë ujësjellës, por s’kanë lejë për të shfrytëzuar ujin

Shqipëria

Bashkia Kuçovë e “Salillari”, po ndërtojnë ujësjellës, por s’kanë lejë për të shfrytëzuar ujin

Më: 5 shtator 2021 Në ora: 11:37
Kuçovë

Bashkia Kuçovë por edhe kompania “Salillari” nuk janë pajisur me lejë për përdorimin e burimit ujor të Sinecit, vend në të cilin janë duke punuar për ndërtimin e një ujësjellësi.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar Agjensia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, e cila nëpërmjet zyrës së Administrimit të Basenit Ujor Shkumbin-Seman, ka konfirmuar se Bashkia e Kuçovës, në cilësinë e institucionit kontraktues, nuk ka aplikuar dhe nuk i është dhënë në asnnjë rast një lejë për përdorimin e këtij vendburimi. Shkresa e siguruar nga “Ora News” mban datën 12 gusht 2021, ku siç shihet në këtë dokument, Bashkia Kuçovë edhe pse ka nisur procedurat e zbatimit në teren të një tenderi miliona lekësh për ndërtimin e një ujësjellësi, rezulton të mos jetë pajisur me lejë për marrjen e ujit në burimin e Sinecit, me qëllim futjen e tij në tubat e ujësjellësit. 

Bashkia Kuçovë, ka kryer procedurën tenderuese, ka shpallur fituesin, kompaninë “Salillari” dhe më tej ka vijuar projektin në terren. Ndërsa çuditërisht nuk ka marrë lejen nga Zyra e Administrimit të Basenit Ujor Shkumbin-Seman, për përdorimin e ujit të këtij vendburimi.

 Të njëjtën gjë ka bërë dhe kompania private “Salillari”, nga ku rezulton se edhe ajo nuk është paisur me lejë për përdorimin e ujit në vendburimin e Sinecit. Dokumenti që mban datën 2 shtator 2021, i firmosur nga kryetari i Këshillit të Basenit Ujor Seman, Baki Bala, tregon qartë se kompania “Salillari” nuk është pajisur me lejen e përdorimit të vendburimit ujor. 

Të dyja subjektet si Bashkia Kuçovë dhe kompania “Salillari”, janë duke ndërtuar një ujësjellës, ku aktualisht po synojnë të marrin ujin e pijshëm nga vendburimi i lumit Sinec, që ndodhet brenda kreshtave të kanionit të Sinecit. Uji po synohet të merret në një kohë, ku të dyja palët e interesuara nuk kanë një leje konkrete për shfrytëzimin e këtij uji. Bashkia Kuçovë dhe kompania “Salillari”,janë duke u përplasur me rezistencën e fshatarëve të zonës Lumas, të cilët nuk lejojnë që ata ti marrin ujin, pasi zona është e mbrojtur për shkak të shpalljes Monument Natyror me vendim të Këshillit të Ministrave. 

Nga ana tjetër si kompania private “Salillari” dhe Bashkia Kuçovë, janë duke kryer punime në shtrirjen e tubacioneve për ndërtimin e ujësjellësit, që nuk dihet nëse në ditët në vijim do arrijnë të marrin lejen për shfrytëzimin e ujit ose jo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat