VOA: Vendimi për ish Kryeprokurorin Llalla më 22 shtator

Shqipëria

VOA: Vendimi për ish Kryeprokurorin Llalla më 22 shtator

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 21:33
Adriatik Llalla

Gjykata e Posaçme e Apelit, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit bëri të ditur sot se vendimi për ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla do të jepet me 22 shtator

Gjykata e Shkallës së parë e ka dënuar me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, zotin Llalla, pasi e gjeti atë fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Paralelisht Gjykata vendosi dhe konfiskimin e disa pronave të tij, të vëna paraprakisht nën sekuestro.

Në seancën e sotme zoti Llalla nuk u paraqit, pasi sipas avokatit të tij, ish kryeprokurori ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Avokati paraqiti tre kërkesa, ose shpalljen e pafajësisë, ose rikthimin e çështjes në gjykatën e shkallës së parë me një tjetër trupë gjykuese, ose në rast dënimi, mosekezkutimin për shkak të situatës shëndetësore.

Ndaj zotit Llalla Prokuroria e posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, SPAK, ka ngritur dyshime rreth disa pronave të patundhmse dhe transaksioneve të kryera me to, si dhe mbi dy pagesa q ëish kryeprokurori ka kryer në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara për familjarët e tij.

Avokati i ish Prokurorit të përgjithshëm, deklaroi sot se sipas tij procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj zotit Llalla, ishte i paragjykuar, arbitrar dhe i njëanshëm. Ai këmbënguli se akuza për fshehje pasurie nuk qëndron dhe se për këtë kishte paraqitur disa dokumenta, mes të tjerash dhe një pjesë të ardhura nga SHBA-të, të cilat sipas tij provojnë se faturat e spitalit ku bashkëshoqrtja e zotit Llalla, lindi fëmijën e tretë, janë paguar nga një shtetas amerikan.

Zoti Llalla ishte i pari ish zyrtar i lartë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit mori në vitin 2018, vendimin për të t’i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Pas tij në listë u përfshi dhe ish deputeti Tom Doshi, ish kryetari i Bashkisë së Durrësit Vanghush Dako e së fundi dhe ish kryeministri Sali Berisha./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat