KMD dënon vrasjen e 23-vjeçares: Urdhri i mbrojtjes duhet të kishte qenë mburoja e viktimës

Shqipëria

KMD dënon vrasjen e 23-vjeçares: Urdhri i mbrojtjes duhet të kishte qenë mburoja e viktimës

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 19:42
Elton Meta, Sabrina Bengaj

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka dënuar aktin e marrjes së jetës së 23-vjeçares Sabrina Bengaj nga ish-bashkëshorti i saj.

KMD i ka shprehur ngushëllimet familjes dhe është shprehur se pajisja me urdhër-mbrojtje e viktimës duhet të kishte qenë mburoja e saj. Mungesa e monitorimit për të parandaluar ngjarje të rënda të dhunës në familje është  kthyer në një problem akut.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka bërë apel për bashkëpunim konkret,  efektiv dhe serioz të të gjitha autoriteteve për parandalimin e krimeve, dënimin maksimal të autorëve, si dhe mbrojtjen sociale pa kushte të viktimave të dhunës në familje.

"Dhuna sistematike ndaj gruas, tolerimi i kësaj dhune, mosmarrja seriozisht nga organet publike, ka çuar brenda këtij viti humbjen e jetës së 7 grave: Zhaneta Metani, Kristina Bardhi, Liljana Buzo, Dorina Alla, Fëllënza Shirja,  Irvana Hyka dhe Sabrina Bengaj.

Është e dukshme qe viktima e kësaj dhune në shoqërinë shqiptare, është gruaja. Gjinia, mbetet i vetmi shkak në Shqipëri që shkakton viktima, vetëm për faktin e të qenit grua."

KMD shprehet se mbrojtja e gruas, garantimi i barazisë thelbësore i saj në ekonomi, shoqëri, familje, promovimi i vlerave të gruas dhe zhvillimi i aftësive të saj, lufta pa kompromis ndaj gjuhës, së dhunshme, denigruese, stereotipizuese, stigmatizuese, seksiste ndaj saj, thyerja dhe çrrënjosja e konceptimit të saj si komponent i dobët në dimensionet e jetës, duhet të jenë prioritet absolut i Shtetit Shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat