Alarm nga gaforrja blu në detin Lezhës

Shqipëria

Alarm nga gaforrja blu në detin Lezhës

Më: 13 shtator 2021 Në ora: 14:22
Gaforrja blu

Lagunat e Lezhës janë pushtuar nga gaforrja blu.

Kjo specie grabitqare është shfaqur në masë gjatë 4 viteve të fundit dhe po dëmton rëndë gjallesat e tjera ujore.

Alarmi është ngritur nga eksperti i Mjedisit Jak Gjini, sipas të cilit popullata e peshqve është ulur ndërsa gaforrja vendase është zhdukur totalisht.

"Fatkeqësisht deri tani dëmi që po shkakton dhe çekuilibri ekologjik në raport me popullatat e tjera është i madh. Gaforrja e sapo ardhur ka neutralizuar ose larguar gaforren vendase, ka ulur shumë popullatat e peshqve," tha Gjini.

Kjo gaforre po i jep një goditje të madhe sektorit të peshkimit.

"Bën një dëm të jashtëzakonshëm te peshkatarët duke i shkatërruar dhe rrjetat e tyre të peshkimit që janë shumë të kushtueshme," tha Gjini.  

Në disa vende të botës gaforrja blu është ushqim i kërkuar, ndërsa në Shqipëri nuk konsumohet.

Në këto kushte mungon tregu i saj ndërkohë që shfaqja e saj në lagunat e Lezhës sjell dëm ekonomik për peshkatarët e zonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat