Noka përgenjështron Bardhin: Nuk jam thirrur nga Ambasada amerikane, as kolegët s'kanë dijeni

Shqipëria

Noka përgenjështron Bardhin: Nuk jam thirrur nga Ambasada amerikane, as kolegët s'kanë dijeni

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 00:19
Flamur Noka

Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka deklaruar se ai dhe demokratë të tjerë kanë qenë pjesë e një takimi me përfaqësues amerikanë në Shqipëri në lidhje me çështjen Berisha.

Flamur Noka i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma mohon të ketë qenë në Ambasadën amerikane, duke shtuar se edhe kolegë të tij nuk kanë dijeni mbi këtë gjë.

Zoti Noka a jeni ju një nga deputetët, siç tha Gazment Bardhi, që janë thirrur në Ambasadën amerikane dhe u është kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë të distancohen nga zoti Berisha, kush jaë këta deputetë?

Noka: Për këtë duhet të pyesni zotin Bardhi, kush janë. Është e vërtetë, janë sajuar apo inskenuar dhe kam pyetur shumë kolegë të mi që nuk kanë dijeni për këtë gjë. Por kjo është një çështje që nuk ka rëndësi. Nuk më shqetëson kjo, mua më dhemb në shpirt situata në të cilën ndodhet forca ime politike që unë aderoj prej 31 vitesh. Më dhëmb shumë që forca ime politike lëngon, është e përçarë nga kryetari i partisë. Është dhimbje shumë e madhe. Kjo më shqetëson mua, çdo demokrat dhe kryesisht liderin historik të saj Sali Berishën. Teknikalitetet se kush u thirr, si u thirr, pse u thirr, ça u tha nuk ka asnjë rëndësi.

I pyetur nëse qëndrimi i mbështetësve të Berishës  bie ndesh me standardin që kërkoi PD për përjashtimin e Tom Doshit, Noka ka këtë përgjigje.

Noka: Tom Doshi nuk është anëtar i PD, nuk është ai që themeloi PD, nuk është ai që u ngrit me ëndrrën amerikane në gji të përmbyste diktaturën dhe të kontribuonte për sjelljen e demokracisë në këtë vend. Tom Doshi nuk është ai që bëri gjithçka për të futur Shqipërinë në NATO, për të zhvilluar Shqipërinë dhe liberalizuar vizat, për ta anëtarësuar Shqipërinë në Këshillin e Europës, OSBE etj. Tom Doshi është qytetar i nderuar por nuk ka asnjë lidhje me rastin e Sali Berishës, Sali Berisha është personaliteti më i madh i historisë së tranzicionit në Shqipëri dhe si i tillë kush do të bëjë një krahasim të tillë kërkon të banalizojë thelbin e problemit, thelbin e sëmundjes që ja shkaktoi kryetari i partisë kësaj force me këtë vendim, ndaj nuk mund të ketë analogji.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat