Fishta: Ata që ngrenë armën kundër policit janë të favorizuar

Shqipëria

Fishta: Ata që ngrenë armën kundër policit janë të favorizuar

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 21:07
Sabedin Fishta

Dy ditë më parë (28 shtator) nënkomisari Saimir Hoxha mbeti i vrarë me plumb në zemër gjatë një operacioni antikanabis në Lezhë. Ai u qëllua për vdekje nga 21-vjeçari Aldi Rama, i cili më pas qëlloi dhe veten para se të arrestohej nga policia. 21-vjeçari ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm në spitalin e Traumës në Tiranë.

Kreu i Sindikatës së Policisë, Sabedin Fishta në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Matilda Mcini  u shpreh se numri i policëve që japin jetën në krye të detyrës po vjen duke u rritur.  

I pyetur  se ku ka gabuar sistemi i policisë, zoti Fishta u shpreh se policia ka 3 pika orientuese mbi të cilat duhet të bazohet; mbrojtja e jetës së qytetarit, mbrojtja e jetës së qytetarit dhe mbrojtja e personit të inkriminuar për ta nxjerrë para drejtësisë.

Fishta: "Nuk mund të shprehemi drejtpërdrejt për gabimet për sa kohë ka filluar një hetim nga Prokuroria, qoftë nga Shërbimi i Kontrolli të Brendshëm për të gjitha procedurat që janë ndjekur në këtë operacion. Në këtë moment duhet të shprehen organet kompetente. Fakti është që në këtë histori, punonjësit e policisë edhe në raste të tjera u riskuan dhe numri i tyre po vjen duke u rritur dhe nuk e dimë se kur do përfundojnë kjo dhënie jete e punonjësve të policisë. Detyra e punonjësit të policisë është me risk të lartë, por që ka një parim bazë. Në radhë të parë në një operacion duhet të mbrohen qytetarët, në radhë të dytë duhet të mbrohet punonjësi i policisë dhe kolegët dhe në radhë të tretë duhet të mbrohet edhe personi i inkriminuar i cili duhet të çohet para drejtësisë. Policia duhet t'i ketë si pikë orientuese. Kjo nuk është ngjarja e parë. Në policinë e shtetit kemi me dhjetëra ngjarje të tilla. Kjo tregon që ka mjaft për të analizuar dhe për të nxjerrë mësime. Fakti është që puna rutinë e punonjësve të policisë dhe trajtimi i punonjësve të policisë dhe stresi që kanë punonjësit është në një nivel relativisht të lartë."

Përsa i përket operacionit të ndërmarrë na efektivët e Lezhës për kontrollin e parcelës me kanabis, Fishta u shpreh se ky nuk ishte një operacion i organizuar. Në rast operacionesh policore, duhen forca të specializuara dhe planifikime.

Fishta: "Kur bëhen gjërat e planifikuara, kur bëhen plane operacionesh merren në analizë të gjitha elementët e një operacioni. Ky nuk ka qenë një operacion, ka qenë një kontroll i territorit me ndonjë informacion që është marrë rishtas në policisë e shtetit. Duke qenë se informacioni ishte i pavërtetuar, ky grup ka shkuar për të vërtetuar informacionin. Nëse është bërë asgjësimi i lëndëve të dyshuara kanabis numri i punonjësve që kanë marrë pjesë ka qenë i vogël. Në situata të tilla duhet të ketë planifikime, forca të specializuara."

Aldi Rama ishte një person me precedent të mëparshëm penal dhe një emër i njohur për policisë. 21-vjeçari ishte nënë masën e sigurisë "arrest shtëpie", por sipas dëshmisë së shokëve të cilët ndodheshin në makinë me të në momentin e vrasjes së policit, Rama lëvizte lirshëm në qytet. Fishta u shpreh se këta persona të cilët arrijnë të ngrenë armën ndaj policisë dhe shtetit janë të favorizuar nga elementë të tjerë.   

Fishta: "Agresiviteti që tregojnë këta persona ndaj punonjësve të policisë tregon që këta njerëz janë të lidhur me struktura të tjera të posaçme që marrin këtë kurajë, këtë guxim që të venë dorë, të ngrenë armën kundër punonjësve të policisë, do të thotë ta ngrenë armën kundër shtetit. Kanë një favorizim, favorizohen nga struktura të posaçme, pra janë të lidhura dhe nuk është thjesht një aktivitet kriminal i rëndomtë. Po t'i hyjmë me thellësi do shikojmë se ka shumë elementë të tjerë brenda të cilët stimulojnë këtë kategori njerëzish. Që te Gjykata që këta elementë i lejon dhe nuk merr vendime të drejta në lidhje me provat që i paraqet policia për t'i mbajtur këta persona, për t'i dënuar ose për t'i mbajtur në institucione dhe mos lejojnë që të vijojnë aktivitetin pasi janë evidentuar si persona që kanë kryer një aktivitet kriminal dhe janë lënë të lirë. Pastaj vijnë me radhë edhe detyrat funksionale që ka policia. Duke humbur kontrollin ndaj këtyre elementëve atyre i jepet mundësi që të ushtrojnë këtë aktivitet kriminal, siç ishte rasti  i personit në fjalë (Aldi Rama) që ka qenë me arrest shtëpie dhe ka lëvizur lirshëm aq sa arriti të kryejë veprimin ekstrem të vrasjes së nënkomisarit."

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur një hetim në lidhje me vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha në zonën e Kunë Vainit në Lezhë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat