Ndëshkohen shoferët e pabindur, policia vendos mbi 1000 gjoba

Shqipëria

Ndëshkohen shoferët e pabindur, policia vendos mbi 1000 gjoba

Më: 2 tetor 2021 Në ora: 17:43
Foto ilustrim

Shtatë drejtues automjetesh janë arrestuar nga policia ndërsa 39 të tjerëve u është pezulluar patenta gjatë kontrolleve të ushtruar nga policia në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan.

Në vijim të kontrolleve të ushtruar nga policia për shtim të masave në fundjavë janë konstatuar disa drejtues automjetesh me shpejtësi deri në 161 km në orë.

Blutë kanë ndëshkuar me gjobë mbi 1000 drejtues automjetesh, kryesisht për parakalime të gabuara, përdorim të celularit dhe drejtim të automjetit në efektin e alkoolit ose parakalime të gabuara.

Njoftimi i policisë

Masa të shtuara në fundjavë për parandalimin e  aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë. Në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet intensive për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve që abuzojnë me rregullat e qarkullimit rrugor duke rrezikuar përfshirjen në ngjarje rrugore me pasoja për jetën.

Edhe gjatë 24 orëve të fundit, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh, që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar nga 134 km/h  në rrugën interurbane   Tiranë – Elbasan deri në 161 km/h në Rrogozhinë – Kavajë si dhe drejtues që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët, 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 2 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.  

Janë pezulluar 39 leje drejtimi, nga të cilat 26 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.            

Po si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve të adresuara nga qytetarët në Komisariatin Dixhital dhe në nr 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1046 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, kryesisht për parakalime të gabuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, për mos vendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, për shpejtësi tej normave të lejura, por pa sanksionin plotësues atë të pezullimit të lejes së drejtimit.

Policia e Shtetit, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos shpejtojnë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparatë fotografik.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat