Vrasja e Saimir Hoxhës, Sandër Lleshaj tregon çfarë ka ndodhur sot në Shkodër

Shqipëria

Vrasja e Saimir Hoxhës, Sandër Lleshaj tregon çfarë ka ndodhur sot në Shkodër

Më: 2 tetor 2021 Në ora: 22:50
Sandër Lleshaj

Ish-ministri Sandër Lleshaj pa publikuar disa pamje nga marshimi i disa të rinjve në Shkodër për vrasjen e oficerit të policisë Saimir Hoxha.

Postimi i Lleshajt:

NJË MESAZH I BUKUR NGA SHKODRA

Vrasja e një oficeri policie nga një djalë krejt i ri ishte një tragjedi e dyfishtë. Humbja e jetës së nënkomisar Saimir Hoxhës ishte shumë e rëndë. Por viktimë, në njëfarë mënyrë, ishte edhe vetë agresori; viktimë e një shoqërie që përjeton një krizë të tejzgjatur të sistemit të vlerave të saj.

Pas disa ditësh vërtet të zymta, sot nga Shkodra erdhi një mesazh i bukur shprese, që tregon se ky qytet vijon të mbetet një kryeqendër e rëndësishme e vlerave të këtij vendi.

Një grup të rinjsh të koalicionit DMA (Dua, Mund, Arrij) i prinë një marshimi, bashkë me qytetarë të tjerë të Shkodrës, në mbrojtje të jetës, të vlerave qytetare, të policisë, duke kundërshtuar dhunën, drogën dhe fenomeneve të tjera që po rrënojnë jetën e shumë të rinjve të këtij vendi.

Ky aksioni dinjitoz qytetar i të rinjve të Shkodrës meriton respektin më të lartë. Ai është një mesazh i rëndësishëm për të gjithë rininë dhe qytetarët e vendit tonë. Angazhimi për vlerat e larta dhe refuzimi i rrugëve të shkurtra e iluzioneve të rreme është rruga e vetme për të ndërtuar një jetë me dinjitet dhe me kuptim.

Respekt për të rinjtë e DMA dhe gjithë qytetarët e Shkodrës që sot dhanë një mesazh të bukur qytetarie dhe dinjiteti.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat