Detaje të mistershme nga vendi ku ra avioni: Si u zhdukën 2 personat që ndodheshin në bord

Shqipëria

Detaje të mistershme nga vendi ku ra avioni: Si u zhdukën 2 personat që ndodheshin në bord

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 22:59
Nga vendi i ngjarjes

Gazetarja e Klan News, Emi Kalaja shkoi në Kelmend të Malësisë së Madhe, aty ku këtë të hënë u rrëzua një avion i vogël, pas një defekti që dyshohet se pësoi në motor. Pasi tentuan të ringriheshin, 2 personat që ndodheshin në bord u larguan me një fuoristradë, që erdhi t’i merrte brenda 10 minutave.

Gazetarja, duke iu referuar dëshmisë së banorëve të zonës, tregoi se këta të fundit kishin shkuar për t’u ardhur në ndihmë personave në fjalë, por ata nuk ishin lejuar të afroheshin. E gjithë ngjarja deri më tani mbetet mister. Policia është duke hetuar në disa pista. Nuk përjashtohet mundësia që në avion të kishte lëndë narkotike, ndonëse mjeti sipas gazetares, nuk kishte bagazh dhe po ashtu brenda tij nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Nuk ka më shumë se 2 metra distancë nga vendi ku i ka marrë fuoristrada për t’i larguar. Në këto momente uniformat blu, kanë kërkuar praninë e kryeplakut të zonës së Vermoshit, për të marrë më shumë detaje rreth kësaj ndodhie meqenëse ai është shprehur edhe për burimet tona, që banorët e zonës janë përpjekur në momentin që kanë dëgjuar uljen e detyruar që ka bërë piloti, që t’i japin një ndihmë të parë, por nuk janë lejuar që të afrohen, nuk kanë arritur që të ringrihen dhe në ato momente nuk kanë vonuar më shumë se 10 minuta dhe një person i ka marrë, ka qenë në brendësi të një fuoristrade duke i larguar.

Mbetet mister e gjithë kjo ngjarje, duke pasur parasysh se në bordin e avionit të vogël nuk ka një vend për bagazh, ndaj edhe pista e kanabisit mbetet akoma jo e faktuar, duke patur në konsideratë këtu që duke mos pasur bagazh dhe fakti që dy personat janë larguar me duart në xhepa dhe në brendësi të avionit nuk është gjetur asgjë mbetet në dyshim nëse është kjo pista në të cilën po heton policia apo fakti që akoma nuk janë identifikuar personat që kanë qenë në brendësi e shton edhe dozën e misterit në këtë ngjarje”.

Duke qenë se nga vendi ku ra avioni, deri në pikën kufitare me Malin e Zi, distanca nuk është e largët, nuk përjashtohet mundësia që 2 personat të jenë larguar drejt këtij shteti.

“Grupi hetimor po heton në shumë pista, nuk përjashtohet as ajo e transportimit të kanabisit duke patur parasysh që ka ndodhur më herët në vendin tonë, raste të tilla, ndonëse sporadike. Ndaj vazhdon të mbetet me dyshim. Veçanërisht, dozën e dyshimit ia shton fakti që sapo kanë bërë ulje të detyruar si rezultat i një defekti në pjesën e motorit. Nuk kanë lejuar që t’i afrohen, ndërsa nga raportimet nga spitali i Shkodrës thonë që nuk ka persona të cilët janë të lënduar, apo të plagosur, të cilët kanë shkuar në spital. Ndaj nuk dihet se ku janë larguar këta 2 persona. I ka tretur dheu deri në këto momente.

Nuk ka asnjë gjurmë të tyre. Forca të policisë kanë qenë gjatë gjithë rrugës, që ne kemi bërë afërsisht 5 orë për të arritur deri këtu, është zona më e thellë malore, në zonën e Malësisë së Madhe pa përfshirë atë të Dukagjinit. Nuk ka shumë shtigje këtu, ndaj dhe nuk dihet aspak se ku mund të kenë shkuar. Pa përjashtuar rastin që mund të kenë kaluar në Malin e Zi, duke qenë se dogana është në afërsi, 600 metra distancë nga dogana që të çon në Malin e Zi. Autoritetet tona kanë komunikuar me ato malazeze”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat