Fiskalizimi/ 62% e bizneseve të pajisur me certifikatën e AKSHI-t

Shqipëria

Fiskalizimi/ 62% e bizneseve të pajisur me certifikatën e AKSHI-t

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 08:09
Ilustrim

Nga 1 shtatori nisi zbatimin faza III e fiskalizimit, që konsiderohet më delikatja për shkak të numrit të lartë të bizneseve, që përfshin procesi.

Numri total i tatimpaguesve që pritet të kryejnë fiskalizimin në fazën e fundit është rreth 90,000 subjekte të biznesit të vogël, një pjesë e të cilëve tashmë janë fiskalizuar dhe lëshojnë fatura. Numri total i bizneseve aktive që përfshihen në tre fazat e fiskalizimit është rreth 120,000.

Rreth 1 muaj pas nisjes të fazës III të fiskalizimit vetëm 62% e bizneseve janë pajisur me certifikatën elektronike nga AKSHI. Nga nisja e procesit deri tani, sipas të dhënave të AKSHI-t për Monitor në total janë lëshuar 74,382 certifikata elektronike. Janë edhe 7,333 subjekte që kanë aplikuar dhe janë në pritje të pajisjen me certifikatë elektronike.

Para nisjes të fiskalizimit të gjitha bizneset duhet të pajisen me certifikatën elektronike të cilën e lëshon AKSHI me një kosto vjetore prej 4,000 lekësh dhe të jenë të regjistruara në portalin SelfCare. Kjo certifikatë u nevojitet tatimpaguesve për të kryer të gjitha llojet e shërbimeve që ofron e-Albania.

Kontabilistët më herët paralajmëruan problematika për ndërveprimin e bizneseve që janë fiskalizuar dhe atyre që ende nuk kanë ndryshuar mënyrën e faturimit. Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohoi se duke qenë se ishte një numër i lartë i subjekteve që ende nuk ishin të pajisur me certifikatë elektronike, për bizneset që lëshonin fatura të pafiskalizuara problem mbetej njohja e TVSH-së dhe rritja e informalitetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) sqaroi më 9 Shtator se faturat e pafiskalizuara të lëshuara nga tatimpaguesit pas 1 shtatorit 2021, nuk do të njihen si të vlefshme nëse tatimpaguesi, që ka detyrim të zbatojë ligjin: nuk ka kryer aplikimin për certifikatë elektronike, e cila merret tek AKSHI, duke aplikuar përmes kredencialeve nga e-Albania; nuk ka lidhur një kontrate me një shoqëri të certifikuar për blerjen e zgjidhjes software të Fiskalizimit që do të përdorë. “Dokumentacioni justifikues për sa më sipër (kopje e aplikimit për certifikatë elektronike dhe marrëveshja me shoqërinë e certifikuar), duhet të ngarkohen në sistemin e-filing, në “çështjet e mia”.

Kontabilisti Armand Mala tha për Monitor se deri tani shumë shqetësime të ngritura janë adresuar për përmirësimin e procesit. Kontabilisti Mala pohon se shumica e bizneseve të vogla janë përshtatur me procesin e ri për shitjet (ne thelb për shitjet procesi është pothuajse i njëjtë, pasi shumë prej tyre edhe për fiskalizimin po përdorin kasën fiskale), ndërsa e kanë ende të paqartë se si të veprojnë në portal për faturat e blerjes. “Shumë biznese ende janë të paqarta se si veprohet me faturat e blerjes në portalin SelfCare. Blerjet bëhen me fatura të fiskalizuara, postohen në sistem, por duke qenë se nuk bëhen deklarime mujore, subjektet nuk dinë çfarë fatura ju kanë shkuar. Nga 1 janari 2022 kur nis zbatimi i penaliteteve bizneseve do t’u duhet të gjitha (deklarim arke, orare pune, etj) dhe aty do të hasin vështirësi”, nënvizon Mala.

Nga 1 janari 2022 do të nisë aplikimi i gjobave për të gjitha subjektet që nuk kanë nisur procesin e fiskalizimit. Përfaqësues të shoqatave të biznesit në një takim me DPT kërkuan shtyrjen e afatit për aplikimin e gjobave, parashikuar aktualisht për 1 Janar 2022.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat