Noka ‘sulmon’ Bashën: Me vepra pengu i tij po e “lufton” duke përjashtuar dhe përçarë demokratët

Shqipëria

Noka ‘sulmon’ Bashën: Me vepra pengu i tij po e “lufton” duke përjashtuar dhe përçarë demokratët

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 15:00
Flamur Noka

Pas deklaratës që kryedemokrati Basha bëri para medias sot, pas shkarkimit të Flamur Nokës nga posti i zv/kryetarit të Komisionit të Sigurisë, ka ardhur reagimi i këtij të fundit.

Pas shkarkimit të Nokës Basha tha se nuk mund të mbetet peng i agjendave personale që kërkojnë ta kthejnë PD-në në një bunker, ndërsa me tone të larta nënvizoi se do të luftojë kundra regjimit Rama-Doshi-Rakipi.

Noka shkruan me ironi se qëllimi i Bashës për të rrëzuar Ramën është i qartë por ky i fundit ‘vazhdon të mbretërojë i qetë në pushtet për 12 vjet’.

“Me goje e thote qe qellimi eshte rrezimi i Rames ,nderkohe ky i fundit vazhdon te mbreteroje i qete ne pushtet per 12 vjet .Me vepra pengu i tij po e “lufton “ate duke perjashtuar dhe percare demokratet”, thuhet në postimin e Flamur Nokës.

Deputeti demokrat, Flamur Noka të hënën në një deklaratë për mediat zbuloi se çfarë ka ndodhur, sipas tij, të dielën në Kryesinë e Grupit të PD-së, duke treguar se Lulzim Basha e quajti bazën e partisë dhe qeverinë e Berishës “llum”.

Një deklaratë të tillë, Noka e bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ndërsa bëri me dije se kreu demokrat konfirmoi të dielën se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD-së dhe i demokratëve.

“Askush s’ka guxuar, as Fatos Nano, as Edi Rama dhe as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum. Askush, as armiqtë më të egër të forcës sonë politike që të konsiderojnë bazën e PD-së, e cila po mbush foltoret, që kërkon kjo forcë të rikthehet në standardet e saj dhe normat statuore, t’i rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të qëndrojë në kthetrat e Ramës. Nuk ka guxuar askush, përveçse z.Basha, askush tjetër”, deklaroi Noka.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi zyrtar i Partisë Demokratike, e cila e konsideroi deklaratën e deputetit demokrat një mashtrim dhe që s’është hera e parë që kërkohet të shtrembërohet e vërteta e diskutimit në mbledhje, pasi një fjalë e tillë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot në partneritet me Edi Ramën, përdorin anëtarësinë e PD-së për interesa personale.

“Përpjekje të dëshpëruara dhe fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje. Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën “llum”. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personale dhe të pushtetit të Ramës”, thuhet në reagimin zyrtar të PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat