Patozi nxjerr prapaskenat: Basha si pirat tokësor, lexon emra që të “kolliten” në doganën e kunatit

Shqipëria

Patozi nxjerr prapaskenat: Basha si pirat tokësor, lexon emra që të “kolliten” në doganën e kunatit

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 20:15
Astrit Patozi

Ish-koordinatori i “Bindjes Demokratike”, Astrit Patozi reagoi me anë të një komenti në rrjetet sociale për fjalën e kreut të PD, Lulzim Basha, ku ky i fundit krahasoi Ramën, Berishën dhe Metën me trekëndëshin 'e Bermudës’.

Sipas Patozit, Basha si një “pirat tokësor” përmendi emrat e disa biznesmenëve në Kuvend që t’u vendosë gjoba, të cilat më pas mblidhen nga kunati i tij.

Reagimi i tij:

TREKËNDËSHI I BERMUDËS ME SYRIN E NJË PIRATI

Ia mbërritëm më në fund edhe kësaj dite, që Lulzim Basha të flasë për rrezikun e trekëndëshit të Bermudës. Të drejtë ka Lul parimori, por kjo vlen vetëm për peshkatarët, që zgjedhin të gjuajnë brenda hapësirës së tij. Të cilët mund ta paguajnë edhe me jetë çmimin e lundrimit në mes të rrezikut, por ata e dinë qysh në fillim dhe e kanë bërë vetë atë llogari.

Por jo për për të tjerët. Dhe aq më pak për Lulin, si pirat tokësor, i cili ka 16 vjet duke pritur në breg çdo anije, që shpëton nga stuhitë, për t'u marrë atyre, jo vetëm peshkun, por për t'u shkulur edhe rrjetat, kur është mundësia.

Ndaj edhe sot, jo rastësisht, menjëherë pas metaforës për Bermudën, u lexuan në parlament disa emra "peshkatarësh" me potencial të madh për t'u kollitur në doganën kurdoherë vigjilente të kunatit. Një faturë e kripur, të cilën ata tashmë të gjithë e kanë mësuar se i pret përherë në port, edhe në rastin fatlum po të arrijnë të shpëtojnë gjallë nga trekëndëshi i vdekjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat