BE, ngërçi Sofje-Shkup, Rutte: Shpresojmë fort në një zgjidhje

Shqipëria

BE, ngërçi Sofje-Shkup, Rutte: Shpresojmë fort në një zgjidhje

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 20:50
Edi Rama dhe Mark Rutte

Në Tiranë kryeministri hollandez Mark Rutte tha sot se Shqipëria ka bërë përparimin e duhur që të nisë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian. Mbretëria e Hollandës ka qenë ndër vendet skeptike, që pak kohë më parë kishte kundërshtar avancimin e marëdhënieve të Shqipërisë me BE-në. Por, siç u shpreh kryeministri Rutte, përparimi “në këto 5 vitet e fundit, ka qenë kaq i madh, në kuptimin që e bëri të mundur për ne që të themi ‘PO’.”

Megjithatë, kur të gjitha vendet anëtare ranë dakort për nisjen e bisedimeve, vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut bllokoi sërish procesin. Kryeministri hollandez Rutte, deklaroi se shpresonte në një zgjidhje të ngërçit. “Eshtë thelbësore që të zgjidhim bllokimin nga ana e Bullgarisë. Shpresojmë ta bëjmë këtë gjë. Do të ketë zgjedhje të dielën dhe shpresoj fort që do ta bëjmë këtë gjë”, u shpreh ai.

Zoti Rutte shtoi më tej se “ne duam që ky rajon të ketë perspektivën e Bashkimit Europian për shumë arsye sepse jemi miq, sepse jemi fqinj, por po kështu sepse të tjerë mund të përfitojnë, të kenë influencë në këtë rajon gjë që ne nuk e duam. Pra, ka arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike për ta bërë një gjë të tillë”.

Kryeministri hollandez tha më tej se “jam vërtetë i shqetësuar për Bosnje-Hercegovinën, pasi duket sikur serbët e Bosnjës në këtë moment po shkelin hapur marrëveshjen e Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjës. Po punojmë shumë në nivelet e BE për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar sistemin politik të ndahet në atë vend përgjatë vijave etnike. Shqetësimi ynë është se ajo çfarë vjen si anë negative e kësaj është një influencë në rritje e fuqisë së Rusisë dhe Kinës dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e BE të jetë e pranishme këtu dhe jo perspektiva e lidhjes më të ngushtë me Rusinë, Kinën apo Turqinë”.

Edhe kryeministri Edi Rama u shpreh se “përsa i përket specifikisht atyre që shohim në rajon këto ditë, nuk janë shenja të mira, as në Bosnjë, as në Malin e Zi, as në Maqedoninë e Veriut, as në kufirin e Kosovës me Serbinë që e pamë para ca ditësh, janë një arsye për të shtuar më shumë forcat, për të rritur bashkëpunimin”.

Pas Tiranës, zoti Rutte do të qëndrojë dhe në Shkup. Për kryeministrin Rama, vizita e tij nuk është thjesht në dy vende, por “vizitë në një rajon që e ka shumë të nevojshme të ndjehet pjesë e vëmendjes dhe interesit dhe pjesë e komunitetit europian”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat