“Do qëlloj vajzën dhe do them që e godite ti”, dëshmia e shqiptares që plagosi grekun, Çela kërcënoi 4 vite më parë se do hidhte fëmijën nga ballkoni

Shqipëria

“Do qëlloj vajzën dhe do them që e godite ti”, dëshmia e shqiptares që plagosi grekun, Çela kërcënoi 4 vite më parë se do hidhte fëmijën nga ballkoni

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 09:10
Mjeku grek dhe Klodiana Çela

Zbardhet dëshmia e Klodiana Çelës, 49-vjeçares shqiptare e cila pak ditë më parë qëlloi me armë zjarri në drejtim të ish-partnerit të saj grek, duke e lënë të plagosur në sy të vajzës së tyre 13-vjeçare.

Ajo ka deklaruar se gjithçka e ka bërë për të mbrojtur fëmijën.

Sipas versionit të shqiptares, i plagosuri ka nxjerrë armën duke kërcënuar vajzën e cila është larguar me shokun e saj të klasës. “Ndal ose do të qëlloj dhe do të them që të qëlloi nëna jote”, citon Çela t’i ketë thënë mjeku grek vajzës.

 “U ktheva dhe i thashë ‘mos i thuaj budallallëqe fëmijës”, është shprehur Klodiana Çela. “Nxitova t’ia merrja armën por në atë moment ai qëlloi”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse mendonte se fëmija mund të lëndohej ajo thotë: “Aspak, e mbrojtja fëmijën me të gjitha forcat e mia. Pyesni ata nëse janë penduar që morën fëmijën nga një nënë për 5 vite me radhë. Unë e mbrojtja fëmijën tim”, shprehet ajo. Klodiana Çela u dërgua sot për të dhënë versionin e saj për ngjarjen pa praninë e avokatit. Duke dalë nga gjykata ajo ka bërtitur me të madhe. “Nëse ka drejtësi, unë dhe fëmija im duhet të jemi bashkë”.

Gjendja e mjekut grek, po përmirësohet.

Sipas mediave greke, hetuesit kanë dyshime se shqiptarja kishte për qëllim ta rrëmbente vajzën dhe të arratisej bashkë me të në Shqipëri.

Sipas Mega, katër vite më parë mjeku kishte bërë një denoncim ndaj 49-vjeçares, pasi ajo nuk e kishte kthyer në kohë fëmijën pasi e kishte marrë për të kaluar fundjavën me të. Kur autoritetet zbuluan vendndodhjen e tyre, ajo kërcënoi se do ta hidhte vajzën nga ballkoni i banesës ku po qëndronte.

Pas shumë orësh negociata, policia arriti të futej në banesë, ndërsa 49-vjeçarja u arratis drejt Shqipërisë me makinë duke e marrë dhe vajzën me vete. Por rrugës shëndeti i kësaj të fundit u përkeqësua duke prishur planin e Çelës, e cila u detyrua ta dërgonte atë në spital.

Hetuesit kanë arritur të sigurojnë edhe dëshminë e një gruaja e cila thotë se Klodiana Çela i kishte thënë se kishte ndërmend ta vriste doktorin grek.

Shqiptarja 49-vjeçare njihej si natyrë kontradiktore. Ajo shpesh prezantohej si shqiptare dhe herë të tjera thoshte se ishte pasardhëse e një familje të njohur dhe të pasur greke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat