Kryetari i KLSH, Arben Shehu, takohet me delegacionin e Agjencisë Anti-Korrupsion të Italisë

Shqipëria

Kryetari i KLSH, Arben Shehu, takohet me delegacionin e Agjencisë Anti-Korrupsion të Italisë

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 20:31
Pamje nga takimi

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit,  Arben Shehu ditën e sotme është takuar me  ekspertët e Agjencisë Anti-Korrupsion të Italisë (ANAC), Filippo Romano dhe  Alex di Staso.

Mësohet se takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të nisur midis KLSH-së, OSBE-së dhe ANAC për forcimin e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së në fushën e auditimit të procedurave të prokurimit dhe partneritetit publik-privat.

“Shehu i falënderoi ekspertët për ndarjen e eksperiencës së vyer të ANAC me audituesit e KLSH-së në sesionet e trajnimit të zhvilluara në datat 15-17 nëntor 2021 dhe nënvizoi se KLSH është e angazhuar për një bashkëpunim cilësor me organet e drejtësisë për referimin e rasteve të shkeljeve të procedurave të prokurimit. Ai theksoi se KLSH vlerëson çdo informacion i cili trajton çështje të shpërdorimit të fondeve publike, duke veçuar raportimet e mediave për çështjet që lidhen me prokurimin publik dhe koncesionet.”- thuhet në njoftimin e KLSH.

Shehu u shpreh se KLSH vlerëson aktivitetin dhe eksperiencën e ANAC dhe ky bashkëpunim i sapo nisur midis dy institucioneve do të jetë një vlerë e shtuar për ngritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së.

Ndërkohë Romano vlerësoi aktivitetin dhe qasjen e KLSH për të qenë një institucion aktiv në referimin e fenomeneve korruptive me fondet publike tek institucionet ligjzbatuese.

Kujtojmë se në tre ditët e trajnimit të zhvilluara në Tiranë me ekspertë të ANAC morën pjesë 50 auditues të KLSH-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat