Ministria e Jashtme në Tiranë mungon në promovimin e librave të Shaban Muratit, reagon diplomati nga Kosova: “E turpshme, u janë prekur sedrat e fryra nga grandomania boshe”

Shqipëria

Ministria e Jashtme në Tiranë mungon në promovimin e librave të Shaban Muratit, reagon diplomati nga Kosova: “E turpshme, u janë prekur sedrat e fryra nga grandomania boshe”

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 08:25
Gazmend Pula

Diplomati dhe publicisti i njohur Shaban Murati ka promovuar dy librat e tij të publikuar në 2021, “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” dhe “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”.

Promovimi i librave të zotit Murati, njëherazi analist dhe bashkëpunëtor i gazetës DITA, u mbajt në Tiranë në Sallën “Kosova” të Hotel Tirana.

Ngjarja pati pjesëmarrje të gjerë, por ra në sy mungesa e përfaqësuesve zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, megjithëse kishin marrë ftesat përkatëse.

Mungesa e tyre u vu në dukje me keqardhje nga një prej pjesëmarrësve, ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri, Prof.Dr.Gazmend Pula, i cili e quajti këtë mungesë “të turpshme”.

“Ishte ky event madhor, me pjesemarrje të gjërë të mysafirëve të lartë dhe të shumë mediave shqiptare! Fatkeqësisht, pa pjesëmarrjen – përkatësisht me mungesën demonstrative, për të mos thënë provokative të përfaqësuesve të lartë institucional të dy Ministrive të Jashtme Shqiptare, veçanërisht të Shqipërisë, por edhe të Kosovës” – tha profesori.

Ai shtoi se këta “do të duhej të ishin aty me përfaqësim institucional reprezentativ” por për shkak të kritikave “sedrat e titullarëve të tyre, të fryra nga grandomania e imagjinuar dhe boshe, nuk mund ta gëlltisnin dot qoftë edhe vetëm titullin e librit më të ri të ambasador Muratit: “Vetëvrasja Diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”.

Diplomati Pula e quajti autorin Murati, “një kryemjeshtër i diplomacisë dhe të parival të denjë në botën shqiptare me opusin e tij të 16 librave analitikë”.

Ai shtoi se dy monografitë e botuara prej tij “trajtojnë problematikat diplomatike më të mprehta dhe ende të pazgjidhura të shtetit dhe të kombit shqiptar me Serbinë dhe me Greqinë nga autori më kompetent, më i angazhuar dhe më i përkushtuar në ekspertizën e marrëdhënieve ndërkombëtare që implikojnë dhe vazhdojnë ta ndërlikojnë akoma rrugëtimin e diplomacive dhe politikave të jashtme të gjertanishme të Shqipërisë dhe të Kosovës”.

I pyetur nga DITA nëse u ishin dërguar ftesa ministrive përkatëse, ambasadori Murati tha se në Ministrinë e Jashtme në Tiranë janë dërguar jo një, po disa ftesa. Kurse lidhur me Prishtinën, autori tha se situata është ndryshe, pasi atje po organizohet një promovim i posaçëm  lidhur me dy librat.

Në Tiranë kjo nuk është hera e parë që ndodh.

“Ne 2018 ministri i jashtem ndaloi dioplomatet dhe anetaret e ekipit te bisedimeve per detin qe te vinin ne promovimin e librit tim “Çeshtja e paqene e detit: Nje intrige diplomatike greke apo shqiptare”. Është libri i vetem qe ka dinamiken 10 vjecare te bisedimeve; e pengonte ministrin ne leshimet ndaj Greqise” – pohoi z.Murati./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat