Bllokohen rrugët në Theth e Vermosh

Shqipëria

Bllokohen rrugët në Theth e Vermosh

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 18:58
Foto ilustrim

Reshjet e dëborës vijojnë ta mbajnë të mbërthyer veriun e Shqipërisë, duke krijuar probleme me qarkullimin rrugor dhe furnizimin me energji elektrike.

Të bllokuara sipas raportit të shtabit të emergjencave pranë prefekturës, mbeten Thethi dhe Vermoshi, atje ku reshjet e dëborës kanë shkuar deri në 80 cm. Nga Qafa e Thorës për në brendësi të fshatit Theth kalohet me vështirësi vetëm me mjete të larta dhe duke përdorur zinxhir, ndërsa në aksin Tamar – Vermosh kalimi kryhet vetëm për raste emergjente pasi në qafën e Bërdalecit trashësia e borës shkon në 70 cm.

Fshatrat Vermosh e Lepush janë pa energji elektrike. Edhe në aksin drejt Razmës turistike dhe Bogës ka patur reshje dëbore dhe është punuar me 3 fadroma për të shmangur bllokimin e saj.

Në bashkinë Puke ka rreth 15 cm bore dhe po punohet për hapjen e rrugëve, ndërsa në disa fshatra ka munguar energjia elektrike. Po ashtu zona e Dukagjinit si pasojë e reshjeve dhe stuhive ka disa fshatra pa energji, si dhe rrugët e brendshme të bllokuara.

Ndërsa ne qytetin e Shkodrës ka një ulje te ndjeshme te temperaturave e shoqëruar edhe me reshje shiut. Nivelet e ujit në lumenjtë Buna e Drin janë në kuota të ulëta dhe deri tani nuk paraqitet rrezik përmbytje.

E qetë paraqitet situata edhe në kaskadën e Drinit ku në Fierzë prurjet janë 450m3/sek dhe ndodhet në kuotën e 273.11 metrave, Komani ka prurje 280 m3/sek dhe ndodhet në kuotën e 174.03 metrave, ndërsa Vau i Dejës ka 60 m3/sek prurje dhe ndodhet në kuotën e 75.19 metrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat