Ndahet nga jeta poeti i njohur Arben Duka

Shqipëria

Ndahet nga jeta poeti i njohur Arben Duka

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 14:10
Arben Duka

Është ndarë nga jeta ditën e sotme, në moshën 64-vjeçare poeti Arben Duka.

Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Lajmin e ka dhënë Aleksandër Çipa.

Arben Duka u lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin "Aleksandër Xhuvani". Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara deri në pesë herë. Është bashkautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanreve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetra çmime si autor dhe bashkautor i këngëve të ndryshme.

Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristike dhe satirike në shumë të përditshme dhe periodike. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet "Intervistat E Kaso Kosës" në gazetën "Intervista" duke qenë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Por Arben Duka ishte më së shumti një poet lirik.

Një nga poezitë e Arben Dukës.

Pas “Lamtumirës”…

Dikur, kur shkrova “Lamtumirë”,
Pyeta veten pse u ngute,
Se përveç vdekjes s’ka në botë,
Asgjë më tjetër absolute!

Gjithmonë me vete kam menduar,
Ajo që shkoi iku u prish,
Por edhe çasti i kaluar,
Plotë me shkëlqim kthehet sërish!

Se jeta s’paska vetëm rrenga,
Nuk është veç helm e pelin,
Se vjen një ditë e shuhet brenga,
Papritur syri merr shkëlqim!

Kaluan nuk e di sa vite,
Dhe zjarri i parë u ndez sërish,
Në qiellin tim ti u përndrite,
Si një dhuratë perëndish!

Me dhimbje shtyj ditë, mote,
As unë as ti nuk kishim vdekur,
Në zemrën time ndjenja jote,
Ç’më kishte mbetur e paprekur!

Nga gjumi letargjik u zgjova,
Sa kisha fjetur nuk e di,
Të falem, zot, që e takova,
Sërish të parën dashuri!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat