Hetimi për inceneratorin e Elbasanit është i cunguar, thotë gazetari

Shqipëria

Hetimi për inceneratorin e Elbasanit është i cunguar, thotë gazetari

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 21:19
Eni Ferhati

Hetimi në një dosje të veçantë për inceneratorin e Elbasanit, sipas gazetarit Eni Ferhati është i cunguar.

Ai tha se SPAK ka lënë jashtë inceneratorin e Tiranës dhe Fierit, ndërkohë që bëhet fjalë për të njëjtët njerëz dhe të njëjtat kompani.

“Unë e shikoj të nxituar, për hir të së vërtetës për shkak se e gjithë kjo skemë fiktive mashtrimi, me vlera kaq të mëdha ku ish-ministri Lefter Koka dyshohet që ka përfituar në mënyrë të padrejtë rreth 3.7 milionë euro, nuk mund të mbyllet vetëm me tre persona,” – tha Ferhati.

Ndërsa shpjegoi skemën e mashtrimit, gazetari i Euronews Albania tha se nuk është e qartë ku ndodhen paratë, duke qenë se nuk ka pasur as bllokim të llogarive bankare.

“Ka dyshime se paratë janë transferuar disa herë në llogari të ndryshme, ndoshta dhe në parajsa fiskale për t’iu shmangur ndjekjes së autoriteteve,” – u shpreh Ferhati.

Ditën e sotme me urdhër të SPAK u arrestua ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka i cili akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Sipas hetimeve, ish-zyrtari ka favorizuar një kompani për marrjen e koncensionit për inceneratorin e Elbasanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat