Halilaj: Buxheti i pamjaftueshëm për një arsim cilësor! Mësuesit s’kanë marrë rrogat

Shqipëria

Halilaj: Buxheti i pamjaftueshëm për një arsim cilësor! Mësuesit s’kanë marrë rrogat

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 20:26
Halilaj

Zv.kryetari i Sindikatës së Mësuesve Isa Halilaj, është shprehur se arsimi është goditur rëndë nga pandemia, por megjithatë nga qeveria nuk është alokuar asnjë fond, në mënyrë që të ketë një bonus për mësuesit.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Halilaj tha se përveçse bonus nuk ka pasur për mësuesit, këtyre të fundit nuk u është dhënë as rroga.

Isa Halilaj: Goditja e pandemisë pas ekonomisë ka qenë në arsim. Mësuesit shqiptarë janë përballur me problematika të mëdha. I kemi kërkuar qeverisë që të ketë një bonus ose buxhet enkas për periudhën Covid-19. Deri më sot nuk është alokuar asnjë fond. Në muajin dhjetor kemi pasur probleme me pagesat në disa zyra arsimore. Ka pasur vonesa në Korçë, Maliq, Fier, Durrës, Sarandë.

Ndër të tjera si shprehet se ka pasur probleme me pagesat e transportit si dhe për orët suplementare.

Isa Halilaj: Ka pasur problema me pagesat e transportit, me orët suplementare. Një problem tjetër është edhe pagesa e mësuesve që kanë qenë korrigjues në provimet e maturës shtetërore. Problematika vazhdon te qendra e shërbimeve arsimore.

Për Halilajn arsimi në vendin tonë është lënë jetim, ndërsa shton se buxheti i qeverisë është i pamjaftueshëm për një arsim cilësor.

Isa Halilaj: Buxheti është i pamjaftueshëm për një arsim cilësor. Arsimi në vendin tonë është lënë jetim. Kemi mungesa laboratorësh, mungesa ngrohjesh në disa shkolla, kemi mësim me turne, shkolla që janë rrënuar nga tërmeti dhe akoma nuk ka filluar ndërtimi i shkollave të reja. S’kemi mësues të paguar mirë. Situata në arsim lë për të dëshiruar dhe vëmendja e qeverisë është shumë e paktë. Pas mjekëve arsimtarët kanë qenë pjesa më e ekspozuar ndaj Covid-19.

Ai thotë se që prej 9 vitesh mësuesit nuk kanë marrë asnjë shpërblim. Halilaj shton se i kanë bërë një kërkesë qeverisë, për t’u dhënë një shpërblim mësuesve për vështirësitë që kanë pasur gjatë këtij viti akademik, por megjithatë nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Isa Halilaj: Është viti i 9 që mësuesit nuk marrin asnjë shpërblim. Është një kompensim për shpenzimet që kanë bërë gjatë këtij viti pandemik. S’kemi marrë asnjë reagim në lidhje me këtë kërkesë që kemi bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat