​“Open Balkan” në Tiranë, tre vendet e nismës ftojnë tre të tjerët që refuzojnë

Shqipëria

​“Open Balkan” në Tiranë, tre vendet e nismës ftojnë tre të tjerët që refuzojnë

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 17:41
Arkiv

Përmes një letre publikuar në gazetën malazeze “Dan”, kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ftuan Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinën të bëhen pjesë e Open Balkan, që konsiderojnë si vizion për tejkalimin e pengesave sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit nëpërmjet zbatimit të katër lirive themelore të BE-së.

“Shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ftojmë edhe një herë të gjithë fqinjët tanë të bashkohen për t’u ofruar qytetarëve të tyre dobitë që ne u ofrojmë qytetarëve tanë. Nëpërmjet lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, bashkëpunimi ynë mund të nxisë tregtinë dhe rritjen ekonomike për ta bërë jetën më të lehtë për gjithsecilin prej nesh. Të akuzuar shpesh si “fuçia e barutit” e Evropës, ne si udhëheqës përgjegjës nuk mund të lejojmë që rajoni ynë të kthehet përsëri në makthet e së kaluarës, ndërkohë që BE-ja nuk është në gjendje të bëjë më shumë për zgjerimin në këtë faze që është”.

Në vijim të letrës nënvizohen më fort dozat e dyshimit mbi vullnetin e BE-së për ta parë Ballkanin Perëndimor pjesë të tij një të ardhme të afërt.

“Evropa nuk është thjesht një kontinent, por një vizion. Megjithatë, për një kohë të gjatë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e kontinentit dhe e këtij vizioni, janë lënë jashtë. Dëshira e popullit tonë për t’u bërë pjesë e familjes së BE është shpërfillur herë pas here për shkak të politikës së brendshme të vendeve anëtare, mungesa e realizimit të premtimeve të bëra si dhe frika nga e ardhmja. Kjo ka sjellë zhgënjim, paqëndrueshmëri, emigracion dhe mungesë investimesh të mëdha. Ne, si udhëheqës të vendeve tona mund të vendosim të rrimë e të qahemi apo të veprojmë. Ne zgjodhëm këtë të fundit”.

Nuk biem dakord për çështjet politike, por të gjithë e pranojmë se ekonomia dhe katër liritë themelore të BE-së janë mënyra më e mirë për t’i dhënë rajonit tonë shpresë për një paqe afatgjatë, thuhet më tej në letër, duke shprehur besimin se “Ballkani i Hapur” do të mbahet mend si momenti që i afroi kombet tona më pranë Bashkimit Evropian dhe drejt anëtarësimit të plotë në bllokun më të madh tregtar në botë, ashtu si dikur Komuniteti i Qymyrit dhe Çelikut parapriu lindjen e Bashkimit Evropian pasluftës së Dytë Botërore.

Në këtë rast Rama, Vuçiq, Zaev i bëjnë thirrje BE-së që ta mbështesin nismën duke mohuar që ajo i bën hije procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal.

Ballkani i hapur është nisma e re e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Emërtimi i ri i nismës u prezantua më 21 korrik 2021, në Shkup në mbyllje të punimeve të pjesës zyrtare të Forumit Ekonomik.

Rama, Zaev dhe Vuçiq në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, pati deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat