Priten ciklone të fuqishme! Mësoni si do jetë moti këtë javë

Shqipëria

Priten ciklone të fuqishme! Mësoni si do jetë moti këtë javë

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Kjo javë pritet të karakterizohet me temperatura mjaft të ulëta dimërore, por i ftohti pritet të jetë kryesisht i thatë, me reshje sporadike të fjollave të borës në disa vise kryesisht në veri-lindje të Kosovës, veri të Malit të Zi dhe disa vise të Luginës së Preshevës. Në viset tjera pritet mot pothuajse plotësisht i thatë dhe i ftohtë. Në Mesdheun shqiptar sot është më ngrohtë, por nga nesër edhe atje priten ulje të temperaturave dhe ato minimalet pritet të shkojnë në “minus” edhe atje.

Në aspektin gjeopotencial rajoni ynë do të jetë nën ndikimin e masave të thata ajrore anticiklonike gjatë gati tërë kësaj jave, ndërsa në aspektin termodinamik rajoni ynë pritet të ndikohet nga një masë mjaft e ftohtë ajrore me origjinë polare.

Temperaturat pritet të shënojnë ulje të theksuara dhe erërat veriore do të shtojnë ndjesinë subjektive të ftohtit polar, por erërat nuk pritet të zgjasin shumë. Me zbutjen e erërave veriore dhe kthjellimin e motit gjatë netëve të ardhshme pritet të kemi acar të fortë polar. Temperaturat nëpër shumë ultësira të Kosovës pritet të ulen deri në -5 ose -6 gradë Celsius rregulisht, ndërsa ndonjë natë ato mund të ulen deri në -10 ose -12 gradë Celsius. Në viset kodrinore-malore temperaturat fare lehtë mund të ulen deri në -15 gradë Celsius, ndërsa në veriun e Malit të Zi gjatë kësaj jave temperatura mund të ulet deri në -20 gradë Celsius.

Pra, masa e ftohtë ajrore e kësaj jave pritet të jetë e fortë, por e thatë.

Zbutje të acarit polar pritet të kemi nga e enjta, eventualisht e Premta kur nga Atlantiku ciklone të fuqishme arrijnë të shtrijnë ndikimin deri në territoret tona duke aktivizuar erërat jugore. Nga e Premta rritje e ndjeshme e temperaturave, ndërsa për fundjavë ka gjasa edhe për reshje shiu sidomos në Shqipëri, por edhe në viset tjera. Temperaturat gjatë fundjavës mund të arrijnë deri në 10 gradë Celsius edhe në Kosovë, ngase në Shqipëri ato mund të shkojnë më lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat