Kamerat në selinë e PD-së, Komisioni i Rithemelimit: Basha po humbet arsyen, ka frikë të përballet me 44 mijë anëtarët

Shqipëria

Kamerat në selinë e PD-së, Komisioni i Rithemelimit: Basha po humbet arsyen, ka frikë të përballet me 44 mijë anëtarët

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 16:03
Partia Demokratike

Komisioni i Rithemelimit këtë të mërkurë e konsideroi një absurditet të ri vendosjen e kamerave të sigurisë në selinë e Partisë Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, 29 anëtarët e këtij komisioni deklarojnë se deputeti i PD-së Lulzim Basha i lidhur pas karriges nga dita në ditë po humbet dhe arsyen për shkak të frikës për t’u përballur me vullnetin e 44 mijë demokratëve që votuan për shkarkimin e tij më datë 18 dhjetor.

“Shndërrimi i shtëpisë së lirisë në një bunker të sigurisë së lartë është dëshmi e vetmisë dhe paranojës që ka kapluar karrigethyerin që ka humbur arsyen për të kuptuar se lider dhe kryetar nuk të bën as vula, as brava dhe as kamerat e sigurisë, por vullneti i 44 mijë demokratëve që të dhanë përgjigje më të merituar në datë 18 dhjetor”, theksohet nga deklarata.

Ata nënvizojnë se Partia Demokratike do t’u rikthehet shumë shpejt demokratëve, pronarëve të saj të vërtetë dhe është në interes të ish-qiraxhiut të kuptojë se nuk ka kamera, bravë apo gaz lotsjellës që mund ta ndalë vullnetin e anëtarëve të kësaj partie.

Një ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij hynë në selinë e PD dhe shkelmuan derën e sallës, të mërkurën selia blu duket se po shton masat.

Kreu i PD, Lulzim Basha e ka parë të arsyeshme shtimin e sigurisë dhe ka vendosur që të instalojë disa kamera shtesë edhe në ambientet e jashtme të selisë blu.

Kujtojmë se ditën e marte, Partia Demokratike bëri një kallëzim penal për personin që shkelmoi dhe hapi me forcë derën e sallës së mbledhjeve të Këshillit Kombëtar. Po ashtu, Basha në një konferencë për mediat, denoncoi publikisht aktin dhe akuzoi me emër e mbiemër personin që shkelmoi derën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat