Shqipëria, rekord për largimin e të arsimuarve

Shqipëria

Shqipëria, rekord për largimin e të arsimuarve

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 00:41
INSTAT raportoi se diaspora u rrit me rreth 2,6%

Rreth 600 mijë shqiptarë kanë zgjedhur të lënë vendin vetëm përgjatë dekadës së fundit.

Shifrat janë vërtet dramatike në historinë 30-vjeçare të ikjes së shqiptarëve. Sipas INSTAT, 1.68 milionë shqiptarë aktualisht jetojnë jashtë dhe përbëjnë atë që konsiderohet diaspora e e re, emigrantë të pas viteve 90-të.

Vetëm përgjatë vitit 2019, INSTAT raportoi se diaspora u rrit me rreth 2,6%.

Ndryshe nga vitet e para, kur shqiptarët synonin Amerikën, Italinë dhe Greqinë, pas vitit 2015, Gjermania u kthye në parajsën e emigrantëve shqiptarë, me një normë vjetore prej rreth 35 %.

Kjo ka bërë që pesha që zënë emigrantët shqiptarë në Gjermani në numrin gjithsej të emigrantëve të katërfishohet nga 1.3 % në 4.2 %.

Por vala e re e emigracionit përgjatë dekadës së fundit ka prekur në nivele alarmante edhe të arsimuarit.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, në një raport të vitit 2020, konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000 deri në 2016.

Sipas të njëjtit raport, Shqipëria renditet ndër 10 vendet e para në botë për normën e largimit të intelektualëve, duke e pasur këtë tregues 38.1%, duke lënë pas edhe Mozambikun apo Somalinë.

Po ashtu, të dhëna të detajuara mbi emigracionin në vendet e Ballkanit Perëndimor, të analizuara nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, tregojnë se 40 % e shqiptarëve që emigruan përgjatë periudhës 2012-2019 ishin të arsimuar.

Ky raport nxori në dritë se emigracioni në rajon ndodh kryesisht midis atyre me arsim të ulët dhe të mesëm, me përjashtim të Shqipërisë dhe Serbisë, ku emigrojnë të arsimuarit.

Mirëpo, largimet masive kanë sjellë një zbrazje të tregut të punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat