"Niveli i varfërisë në Shqipëri është përkeqësuar", Malaj: Modeli ekonomik i zgjedhur është ai oligarkik

Shqipëria

"Niveli i varfërisë në Shqipëri është përkeqësuar", Malaj: Modeli ekonomik i zgjedhur është ai oligarkik

Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 18:22
Arben Malaj

Viti 2022 do të nisë me një rritje të çmimit të energjisë elektrike. Enti Rregullator ka parashikuar marrjen e vendimit për rritje e tarifës për operatorin e transmetimit nga 0.75 lekë për kilovat orë në 1.54 lekë.

Rritja e çmimit të energjisë dhe ushqimeve bazë të shportës do të rëndojë në xhepat e qytetarëve.

Ish-ministri i Financave Arben Malaj në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se viti 2021 ka një rikthim drejt normalitetit për  sa i përket situatës ekonomike në krahasim me vitin 2019 kur u goditëm nga tërmeti dhe më pas nga pandemia, por sipas tij ky rikthim është ende larg pritshmërive.

Malaj: Kemi një rritje ekonomike të konsideruar të lartë, por e cila është ushqyer jo nga aktorë stabël, por nga paraja e madhe e hedhur në ekonomi si për kostot e rindërtimit, si për kostot e pandemisë, ashtu dhe paraja publike e cila është hedhur në sasi të mëdha.

Sipas zotit Malaj, pas pandemisë, një risk i madh mbi qytetarët shqiptarë është rritja e inflacionit mbi nivele të larta.  

Efektet e rritjes së inflacionit

Malaj: Inflacioni është një tatim indirekt që qeveritë e vendosin pa bërë ndryshime në politikat fiskale dhe e kanë më të lehtë që të nxjerrin disa përfitime nga inflacioni i lartë sidomos në uljen e barrës së borxhit. Por ai ka efekt të varfërojë pjesën më të madhe të popullsisë pasi rritja e çmimeve që janë pjesë e konsumit të përditshëm godet klasën e mesme dhe klasat në nevojë. Niveli i varfërisë në Shqipëri, dhe në raportet e fundit është përkeqësuar. Inflacioni është goditje e madhe si për rritjen e varfërisë, ashtu dhe për dëmtimin e klasës së mesme të një vendi.

Zoti Malaj tha se nga skandali i publikimit të pagave vumë re një ndarje të thellë mes pagës mesatare dhe pagave më të larta.

Malaj: Ka dyshime të mëdha për përzgjedhjen e atyre që i marrin këto paga dhe për rritjen jashtëzakonisht të madhe të pagave në sektorin publik, kur vetë sektori publik është një gropë e zezë në financat publike të vendit. Hapësira e madhe e rritjes së pagave në mënyrë arbitrare është një nivel që krijon kosto ekonomike dhe kosto sociale.

Po çfarë tregon ky disnivel i pagave?

Malaj: Modeli ekonomik i zgjedhur aktualisht është modeli oligarkik. Pikërisht mungesa e konkurrencës dhe spontaniteti i përzgjedhjes së projekteve në ekonomi po na çon drejt një niveli oligarkik që pasuria dhe aktiviteti përqendrohet gjithnjë në pak duar. Rritja e pushtetit të tyre ekonomik shoqërohet pastaj me dobësimin e demokracisë dhe dobësimin e shtetit ligjor. Arrijmë në konkluzionet e DASH që qeverisja në Shqipëri ka ardhur duke u përkeqësuar, korrupsioni ka ardhur duke u rritur dhe ka shumë prova që shteti është i kapur në projektet e tij.

Malaj më tej tha se duhet të kishte një auditim, kontroll, ndërprerje të karrierës së pamerituar apo ndjekje penale për punonjësit e administratës që shkelin ligjet thjesht sepse duan t'i shërbejnë oligarkëve apo disa politikanëve dhe janë bashkëfajtorë jo vetëm moralë, por ligjorë me ato që ndodh në keqqeverisjen ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat