Kamioni me 119 kg drogë doli i pastër në skaner, nesër pyeten në prokurori punonjësit që skanuan kontejnerin

Shqipëria

Kamioni me 119 kg drogë doli i pastër në skaner, nesër pyeten në prokurori punonjësit që skanuan kontejnerin

Më: 4 janar 2022 Në ora: 16:54
Droga

Punonjësit e kompanisë private që administron skanerin në portin e Durrësit, janë thirur për të dëshmuar në prokurorinë e Tiranës, lidhur me kalimin e kontejnerit me kokainë në skanerin e tyre.

Pyetja e tyre është planifikuar të realizohet ditën e nesërme, ku në fokus janë vënë emrat e punonjësve që kanë shërbyer në turnin e datës 28 dhjetor 2021, ku kontejneri i kompanisë së bananeve i është nënshtruar procedurës së skanimit.

Çuditërisht skaneri, nuk ka dalluar asgjë të dyshimtë dhe po në të njëjtën kohë edhe punonjësit që shërbejnë si monitorues të imazheve fotografike të skanuara, s’kanë raportuar asgjë të dyshimtë.

Si pasojë e kësaj situate kontejneri është certifikuar i pastër dhe jo i infektuar me sende të paligjshme.

Fotot e skanimit janë printuar dhe dorëzuar autoriteteve policore, ndërsa më pas është paraqitur shoferi i kompanisë së bananeve duke marrë me kamion skanerin.

Skaneri dhe punonjësit e tij, nuk kanë mundur të dallojnë asnjë nga 7 kutitë e mbushura me kokainë.

Por e kanë ezauruar këtë procedurë shumë shpejt dhe shumë pastër. Për këtë situatë, punonjësit e kompanisë private, do pyeten nesër për të dhënë shpjegime se ku ka çeduar ky kontroll, që solli në moszbulimin e 119 kg kokainës që ndodhej brenda në kontejner.

Shtrirja e hetimeve ndaj këtyre punonjësve vjen pas dyshimeve se ata kanë ndihmuar në kalimin e sasisë së kokainës, duke mos e raportuar gjendjen faktike ashtu siç dhe është fotografuar imazhi nga skaneri.

Pritet që policia dhe prokuroria e Tiranës për këtë rast të procedojnë me arrestimin e personave përgjegjës, që kanë lejuar kontejnerin të kalojë pa asnjë problem.

Sekuestrimi i 119 kg kokainë, brenda pakove me banane të një kompanie private në Tiranë, ka ngritur mjaft pikëpyetje mbi vigjilencën e punonjësve të skanimit në Portin e Durrësit dhe Policinë e Shtetit.

Nëse nuk do merrnin një telefonatë në datën 30 dhjetor nga administratori i kompanisë së bananeve, struktura e policisë nuk do kishin mundur të mësonin asnjë informacion, mbi këtë linjë trafiku të Kokainës.

Nga verifikimet e kryera, mësohet se në kontejnerin me banane rezulton se mungojnë 106 kuti, të cilat besohet se janë hequr në Itali dhe Shqipëri.

Ndërsa hetimet tashmë janë fokusuar në operatorët e vëzhgimit në skanerin e Durrësit, çështja në fjalë pritet ti kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme SPAK.

 Kjo pasi prokuroria e Tiranës, ka shumë gjasa që në ditët në vijim të shpalli moskompetencën dhe hetimet t’ia kalojë për veprime të mëtejshme prokurorisë së Posaçme SPAK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat