Skandali i publikimit të pagave, avokati: Kjo nuk është lojë, rënia e sistemit e rrezikshme

Shqipëria

Skandali i publikimit të pagave, avokati: Kjo nuk është lojë, rënia e sistemit e rrezikshme

Më: 13 janar 2022 Në ora: 20:30
Adriatik Lapaj

Pas skandalit të patronazhistëve një tjetër database me të dhënat personale rrodhi në dhjetor 2021 nga institucionet shtetërore. Bëhet fjale për pagat mujore të qytetarëve privatë në administratën publike por edhe private për 637 mijë punonjës.

Avokati Adriatik Lapaj i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se ajo që ka ndodhur është e dëmshme dhe nuk është aspak normale.

Lapaj: Ky është një sinjal i parë, se po të ra një nga sistemet mund të të bjenë sistemet me radhë. Ne nuk kemi vetëm listën e pagesave të rrogave, kemi disa databaza të cilat përmbajnë të dhëna edhe më sensitive të cilat mund të rrezikojnë jetën e individëve të caktuar. Kjo nuk është një lojë, kjo është shumë e trishtë dhe është shumë e rrezikshme. Në këtë kuptim duhet reflektim nga institucionet. Kodi ynë Penal nuk ka dispozita, sanksionet ndaj veprave të tilla janë të papërfillshme dhe në fakt u vërtetua. Kjo vërteton që dispozitat e Kodit Penal nuk e mbajnë dot këtë histori, këtë histori e mban investimi në sistemet e sigurisë.

Avokati tha se përgjegjësia në këto raste është e trefishtë; është politike në kuptimin e drejtuesve, administrative në kuptimin e punonjësve dhe penale.

Lapaj: Ajo që duhet të ndodhë pas këtij alarmi të parë, do duhet të bëhet një verifikim i sistemeve të sigurisë dhe do duhet që nëse ka nevojë për përmirësime teknologjike të bëhen investimet e duhura. Nuk ka nevojë të shpikim rrotën, rrotën e kanë shpikur të tjerët para nesh. Mjafton të shohim vendet që funksionojnë me sisteme të ngjashme dhe të marrim metodat më të mira.

Për avokatin duhet të ketë reflektim. Tabela me pagat e janarit dhe prillit u përhap me shpejtësi përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu publike u bë edhe lista me targat e makinave të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat