Harta e re gjyqësore, Lapaj: Largon qytetarin nga drejtësia, rrit korrupsionin

Shqipëria

Harta e re gjyqësore, Lapaj: Largon qytetarin nga drejtësia, rrit korrupsionin

Më: 13 janar 2022 Në ora: 21:35
Adriatik Lapaj

Harta e re gjyqësore krijon distanca të mëdha gjeografike mes qytetarëve dhe godinave të gjykatave duke vështirësuar marrjen e shërbimit dhe aksesin në drejtësi. Përveç shkrirjes së gjykatave të shkallës së parë që mbeten vetëm si sportele në 9 qytete, qytetarëve do tu duhet të udhëtojnë 5 orë për një seancë në gjykatën kombëtare të Apelit në Tiranë.

Avokati Adriatik Lapaj i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se çështja gjyqësore në Shqipëri ka një problem të madh në raport me mbingarkesën e gjyqeve.

Lapaj: Reforma në Drejtësi ka krijuar vakume të trupave gjyqësore dhe ka krijuar stoqe për tu gjykuar, sidomos në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë. Largimi i qytetarit nga aksesi në drejtësi krijon një problem real në dy aspekte. Aspekti i parë është që qytetarët do demotivohen që të hapin gjyqe, pra shumë nga abuzimet e administratës do mbeten në fuqi sepse qytetarët nuk do t'i kundërshtojnë më në Gjykatë. E dyta është që kjo rrit korrupsionin shumë.

Avokati tha se nuk kemi një infrastrukturë që të mundësojë aksesin e qytetarëve. Ai tha se si parim harta e re gjyqësore nuk ka asgjë të keqe, por tani nuk është momenti.

Lapaj: Të shkosh nga Erseka në Tiranë për një gjyq apeli do një ditë. Është shumë e rëndësishme të bëhet një studim. Qëllimi që pse këta e bëjnë, thonë që duke i bërë Gjykatat më të mëdha ka mundësi që gjyqtarët të kenë më shumë shkëmbim profesional me njëri-tjetrin, që korrupsioni dhe njohjet të jenë më të vogla sepse nuk është ai gjyqtari i një qyteti të vogël që e njohin të gjithë. Në parim nuk ka asgjë të keqe, por tani nuk është momenti. E dyta është koha; drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar.

Harta e re gjyqësore e propozuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë shkrin gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë në disa qytete, si Tropojë, Pukë, Mat, Lushnje, Përmet, Pogradec, Kavajë, Krujë dhe Kurbin.

Banorët e këtyre 9 rretheve do ti marrin shërbimet e gjykatave të shkallës së parë në rrethet më të afërta, Tropoja në Kukës, Lushnja në Fier, Puka në Shkodër, Pogradeci në Korçë, Kavaja e Kruja në Durrës, Mati në Dibër dhe Kurbini në Lezhë.

Me këtë parashikim, harta e re rrit distancën gjeografike mes qytetarëve dhe godinave të gjykatave të shkallës së parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat