Spaho: Pas 2017 opozita sipërfaqësore. Rrëzimi i Tahirit shënoi edhe rrëzimin e Donald Lu-së

Shqipëria

Spaho: Pas 2017 opozita sipërfaqësore. Rrëzimi i Tahirit shënoi edhe rrëzimin e Donald Lu-së

Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 17:55
Edmond Spaho

Anëtar i Komisionit të Rithemelimit Edmond Spaho, është shprehur se që prej vitit 2017 opozita ka qenë sipërfaqësore.

Spaho tha se e gjitha situata brenda PD u krijua pas marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Spaho u shpreh se ky i fundit nuk kishte objektiv fitimin e zgjedhjeve.

Edmond Spaho: Opozita pas vitit 2017 ka qenë një opozitë sipërfaqësore, e lidhur në marrëveshje të dukshme dhe të padukshme me Edi Ramën, me qeverisjen e socialistëve. Përgjegjësia është e drejtuesve të PD. Nëse ne do e dinim marrëveshjen Rama- Basha do të kishim reaguar. Ne kemi mbështetur  fuqimisht Bashën në atë që mendonim se janë përpjekje serioze për të rrëzuar Ramën nga pushteti. Në fakt nuk na rezulton kështu. Zgjedhjet e 25 prillit treguan se Basha nuk kishte objektiv fitimin e zgjedhjeve.

Përsa i përket dënimit të ish-Ministrit të brendshëm me 3 vite e 4 muaj burg, Spaho tha se rrëzimi i Tahirit ka shënuar edhe rrëzimin e Donald Lu-së.

Edmond Spaho: Saimir Tahirit nga ne është akuzuar gjerësisht si një nga autorët dhe ideatorët i kanabizimit të Shqipërisë. Dhe këtë e treguan faktet pavarësisht rezervave që kemi. Rrëzimi i Tahirit ka shënuar edhe rrëzimin e Donald Lu-së.

Në lidhje me zgjedhjet e 6 marsit, Spaho u shpreh se Komisioni i Rithemelimit do të bëjë të pamundurën që zgjedhjet të jenë të lira.

Edmond Spaho: Ne do të përpiqemi brenda mundësive që kemi që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm dhe do të përdorim ato mundësi dhe burime që disponojmë për ta mbajtur procesin nën shinat e demokracisë.

Ne kemi një komisioner dhe një vëzhgues që do t’I zgjedhim me kujdes, por nuk janë të mjaftueshme, pasi ju e dini se burimet që mund të përdoren në procesin zgjedhor janë shumë të mëdha. Unë mund të ju kujtoj se edhe tani në këto zgjedhje Emirjana Sako po përdor fondet e bashkisë për të bërë fushatë elektorale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat