Kurba në rënie, kur pritet lehtësimi i masave kundër koronavirusit! Rakacolli: Nëse vijon ky trend i ulët, do…

Shqipëria

Kurba në rënie, kur pritet lehtësimi i masave kundër koronavirusit! Rakacolli: Nëse vijon ky trend i ulët, do…

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 09:58
Foto ilustrim

Nëse shifrat e infeksionit vijojnë të pësojnë rënie dhe situata paraqitet e qëndrueshme për të paktën një periudhë dyjavore, atëherë do të ketë lehtësim të masave anti-COVID.

E pranishme në aktivitetin e organizuar dje nga Akademia e Shkencave, zëvendësministrja Mira Rakacolli tha se infektimet janë ulur ndjeshëm, në të njëjtën kohë edhe shtrimet në spital, por do të duhen të kalojnë dhe dy javë të tjera për të vlerësuar planin e masave.

“Masat shkojnë në përputhje me situatën epidemiologjike. Ne i ndjekim me vëmendje. Fatmirësisht, situata epidemiologjike është e qëndrueshme në spitale dhe me një ulje në numrin e infektimeve. Lirimi i masave do të vijë nëse ky nivel i ulët i infektimeve do të qëndrojë të paktën për dy javë rresht”, u shpreh Rakacolli.

Kufizimet e vendosura qëndrojnë në fuqi prej disa muajsh. Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh në fillim të këtij viti, por nuk ndryshoi asgjë në drejtim të masave pavarësisht qarkullimit në masë të variantit “Omicron” dhe grumbullimeve të krijuara me rastin e festave.

Kështu, përveç detyrimit për mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura në fuqi është edhe ora policore, e cila nis pasi akrepat kanë shënuar 23:00 deri në orën 06:00.

SITUATA

Krahas rasteve të infeksionit, në rënie kanë ardhur edhe shtrimet në spital. Megjithatë, çfarë mbeten të larta janë shifrat e fataliteteve. Të mërkurën, janë shënuar 7 humbje jete si pasojë e COVID-19, të grupmoshave nga 61 -79 vjeç.

“Aktualisht, në spitalet COVID po marrin trajtim 92 pacientë, nga të cilët 12 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor ka shtatë humbje jete me SARSCOV2 pozitiv: një qytetar nga Durrësi 61 vjeç, tre qytetarë nga Tirana 68-77 vjeç, një qytetar nga Elbasani 71 vjeç, një qytetar nga Kuçova 76 vjeç, një qytetar nga Korça 79 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve”, kanë bërë me dije autoritetet shëndetësore.

Prej fillimit të pandemisë, janë 3430 persona që kanë ndërruar jetë për shkak të koronavirusit. Por kjo nuk është gjë tjetër veçse maja e ajsbergut. Të dhënat demografike të publikuara nga INSTAT-i dëshmojnë se përgjatë periudhës pandemike janë regjistruar më shumë se 14 mijë humbje jete shtesë në raport me mesataren e 5 viteve të fundit.

RASTET

Lidhur me rastet e reja, në 24 orët e kaluara janë raportuar 361 persona të prekur nga rreth 2500 testime të kryera. Ndërkohë që ka zbritur në 6806 numri i të infektuarve aktivë në të gjithë vendin.

“Janë kryer 2,478 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, 361 qytetarë, në këto bashki: 144 në Tiranë, 25 në Sarandë, 17 në Vlorë, 16 në Berat, 14 në Fier, 13 në Elbasan, 9 në Shkodër, Lushnje, 7 në Durrës, Delvinë, Korçë, 6 në Kamzë, Gjirokastër, 5 në Roskovec, Mallakastër, Këlcyrë, Tepelenë, 4 në Krujë, Patos, Himarë, Memaliaj, 3 në Lezhë, Mirditë, Kavajë, Skrapar, Përrenjas, 2 në Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Tropojë, Kurbin, Vorë, Libohovë, Devoll, Peqin, 1 në Malësi e Madhe, Kukës, Has, Dibër, Selenicë, Konispol, Dropull, Pogradec, Poliçan, Cërrik, Gramsh, Librazhd. Janë 6,806 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat