VOA: Gjykata e Tiranës dënon me 17 vite burg sipërmarrësin italian Becchetti

Shqipëria

VOA: Gjykata e Tiranës dënon me 17 vite burg sipërmarrësin italian Becchetti

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 21:09
Francesco Becchetti

Në Shqipëri, pas më shumë se 6 vitesh zvarritjesh, Gjykata e Tranës dënoi sot me 17 vite burg sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, pronar i televizionit Agon Channel, i cili u mbyll, pas hetimeve që prokuroria shqiptare zhvilloi ndaj tij në vitin 2015. Përveç Becchetti-t, dënime u dhanë dhe për disa bashkëpunëtorë të tij, italianë dhe shqiptarë.

Gjykata e deklaroi sot fajtor sipërmarrësin Italian për të katër akuzat e ngritura nga prokuroria, që nga falsifikimi i dokumentave, te vjedhje duke shpërdoruar detyrën, evazion fiskal dhe pastrim parash. Sipërmarrësi italian kishte në Shqipëri disa kompani, përmes të cilave, sipas prokurorëve ai kishte ngritur një skemë mashtrimi, duke përfituar 38 milion euro, ndërkohë që 5 milion euro të tjera llogariten si shmangie ndaj detyrimeve tatimore.

Becchetti ka deklaruar gjithmonë se hetimet dhe procesi ndaj tij kanë patur prapavijë politike “për shkak të qëndrimeve kritike” që televizioni Agon Channel ka patur ndaj qeverisë shqiptare. Pikërisht mbyllja e Agon Channel-it, çoi në dënimin e shtetit shqiptar, në prill të vitit të kaluar, me 110 milion euro nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore.

Opozita shqiptare, kërkoi disa muaj më parë ngritjen e një Komisioni hetimor për këtë rast, por shumica socialiste e rrëzoi këtë kërkesë. Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për të kundërshtuar vendimin e parlamentit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat