“Boll na vodhët”, mijëra qytetarë në këmbë për rritjen e çmimeve, protesta vazhdon edhe nesër

Shqipëria

“Boll na vodhët”, mijëra qytetarë në këmbë për rritjen e çmimeve, protesta vazhdon edhe nesër

Më: 12 mars 2022 Në ora: 10:49
Protesta

(E plotësuar 13:42) - Protesta e qytetarëve shqiptarë do të vijojë edhe nesër. Aktivisti Mirgen Qiraxhi njoftoi gjatë protestës së sotme se do të vijojnë edhe nesër, në po të njëjtën orë. Ai tha se marshimi do të nisë në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej” për të vazhduar drejt Kryeministrisë.

“Protesta vazhdon nesër sërish me marshimi në orën 11:00 për të kulmar këtu. Do të vazhdojmë apo jo?”, tha ai.

Protesta e sotme nisi në orën 11:00 dhe vijon ende. “Boll na vodhët”, është banderola që shoqëron këtë protestë, ndërsa pjesëmarrja është tepër e madhe. Me mijëra qytetarë mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Kjo është dita e katërt që qytetarët janë ngritur, ndërsa protesta paralele janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit.

Gazetari Taulant Kopliku para protestuesve: I kënaqur që ky shesh është mbushur jo për politikën

Gazetari i ABC Taulant Kopliku dha mesazhin e tij përpara mijëra qytetarëve shqiptarë që janë mbledhur këtë të shtunë përpara Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Kopliku tha se si asnjëherë më parë sheshi është mbushur sot jo për politikën, ndërsa theksoi se është mesazh për të treguar se është populli që vendos.

“Unë sapo jam kthyer për të jetuar në Shqipëri dhe ka 1 muaj e gjysëm që jam kthyer në vendin tim. Gjendemi në një situatë të paparashikuar ku qeveria ime, më mbyt me taksa, më shton çmimet. Është vërtete e dhimbshme sesi mund të jetohet në këtë vend, por unë kam besim për të jetuar këtu bashkë me ju. Për t’ju kujtuar të gjithëve që Shqipëria bëhet. Jam i kënaqur që ky shesh është i mbushur jo për politikën por për të ardhmen e fëmijëve tanë. T’u tregojmë që ne vendosim”, theksoi ai.

“Mos prisni ballokume, ka shkuar 150 lekë”, protestuesja mesazh për elbasanasit

Me mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në sheshin përpara Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve.

Një prej folëseve vuri në dukje heshtjen e qytetarëve të Elbasanit gjatë këtyre ditëve të cilët nuk kanë protestuar. Ajo kujtoi se këtë vit edhe ballokumja, simboli i Ditës së Verës në Elbasan është prekur nga rritja e çmimeve.

“Dua një duartrokitje edhe pse këto ditë nuk është bërë pjesë, qyteti im i dashur Elbasani. Mos prisni ballokume këtë vit se ka shkuar 150 lekë si asnjëherë tjetër”, tha ajo. 

Pas marshimit paqësor në qytetet e tyre, dibranët nisen në drejtim të Tiranës

Në të gjithë vendin revolta qytetare është ngritur në këmbë për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të karburanteve.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se në Klos është mbyllur marshimi paqësor që nisi në orën 11:00 siç ishte parashikuar dhe tashmë janë nisur drejt kryeqytetit me makina private.

Gjithashtu mësohet se me makina  private pas protestës së zhvilluar në kryqëzimet kryesore të qytetit, qytetarët me makina private janë nisur në drejtim të Tiranës, aty ku po zhvillohet dhe protesta më e madhe paqësore e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve. 

“Bab e bir” në protestë, Flor Binaj dhe Xhoda thirrje për artistët: Na kritikuan se jemi të vetmit që kemi ardhur

Sot është dita e katërt e protestës së qytetarëve përpara Kryeministrisë, të cilët po kërkojnë uljen e çmimit të naftës dhe produkteve ushqimore.

Mes tyre është edhe aktori Flor Binaj, i cili i ka bërë thirrje të gjithë artistëve në Shqipëri të bashkohen në protestë për të ardhmen e fëmijëve.

“Unë jam kritikuar shumë se kam qenë ndër të vetmit artistë që kam dal të protestojë. Do doja shumë që ashtu si na u bashkua Marin Mema të na baashkohen shum figura publike në Shqipëria”, tha Flori.

Më tej ai zbuloi se nuk është  vetëm, por sot në protestë ka ardhur edhe Xhoda, me të cilin janë një dyshe e pandarë përmes roleve të “Babait e djalit”.

“Jam pjesë e kësaj proteste se kjo është pjesë e popullit, ashtu si shoku im i ftoj artistë të dalin.

Jam këtu pjesë e kësaj proteste për të gjithë ata pensionistë që nuk ndezin dot kaloriferin se kanë frikë se i rritet energjia elektrike. Për të gjithë ata që kanë frikë të hipin në urban se i është rritur bileta. Për të gjithë prindërit tanë që kanë luftuar shumë po s’kanë marrë asgjë”, u shpreh Xhoda.

“Më mirë kemi qenë në kohën e Enverit”, qytetarët të indinjuar për rritjen e çmimeve: Atje ku është lufta, nafta 1 euro

Të indinjuar, disa të moshuar janë mbledhur sot para sheshit ‘Skëndërbej’ për të mbështetur protestën kundër rritjes së çmimeve. Në një prononcim për gazetarin e News24, Erjon Skëndaj, një prej qytetarëve tha se më mirë ishin në kohën e regjimit të Enver Hoxhës se sa tani.

“Më mirë kemi qenë në kohën e Enverit”, tha ai.

Ndërkohë, një tjetër qytetar tha se detyrohej të ikte në Mal të Zi për të punuar dhe se fëmijën e shkolluar e kishte pa punë.

“Kam ardhur nga Puka. Protestoj për rritjen e çmimeve. Jam një nga familjet e përmbytura nga HEC i Fierzës. E paguaj energjisë një më një. S’më ka dhënë kush kompenson. Kam votuar për këta socialistë, kur ka qenë në koalicion me Ilir Metën. Unë e kam çuar fëmijët me forcat e mia në shkollë, por e kam pa punë. Kur do i kërkoj ndihmë? Atje ku është lufta në Ukrainë, është 1 euro nafta. Këtu s’merret shteti me ty. Unë punoj në Mal të Zi se këtu s’ja dal”, tha protestuesi.

Image
Erjon Skëndaj

Mijëra qytetarë në shesh, Shqipëria proteston për rritjen e çmimeve

Mijëra shqiptarët për të ditën e katër me radhë po mbushin rrugët dhe sheshet në qytete të ndryshme për të kërkuar uljen e çmimeve të ushqimeve dhe të karburantëve në vendin tonë.

Paraditën e kësaj të shtune protesta ka startuar në orën 11:00 në kryeqytet nga sheshi Skëndërbej ku mijëra qytetarë kanë marshuar në drejtim të kryeministrinë.

Në mbështeteje të protestuesve në Tiranë dhe në pamundësi për të ardhur në kryqeqytet, protesta të shumta po zhvillohen në të gjithë vendin në Dibër, Shkodër, Pogradec, Lezhë etj.

Ndërkohë në kryeministri janë marrë masa, duke blinduar dyert, teksa në gatishmëri janë edhe autobotet me gazë lotsjellës.

Image
Protesta

Protestuesit kanë deklaruar se protesta do të kulmojë sot.

***

Mijëra qytetarë janë mbledhur në Tiranë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe ushqimeve gjatë muajve të fundit. Protestuesit kanë vijuar nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Qytetarët kërkojnë nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme për stabilizimin e çmimeve dhe shmangien e abuzimeve në treg.

Krahas kësaj, qytetarët kërkojnë edhe lirimin e dhjetra protestuesve të ndaluar gjatë tre ditëve të mëparshme.

Bllokohet autostrada Tiranë-Lezhë/ Protestuesit përplasen me policinë

Në pritje të nisjes së protestës kombëtare në Tiranë, qytetarët e Lezhës kanë nisur protestën në qytetin e tyre, kundër rritjes së çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore.

Situata është e tensionuar

Ndërsa qytetarët kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në autostradën Tiranë-Lezhë. Kjo ka sjellë edhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Një tjetër rrugë e bllokuar nga qytetarët e Lezhës, është ajo Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të Shënkollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat