Nisin hetimet për inceneratorin e Tiranës/ SPAK kërkon dëshminë e Alqi Bllakos, pritet të ripyetet edhe Lefter Koka

Shqipëria

Nisin hetimet për inceneratorin e Tiranës/ SPAK kërkon dëshminë e Alqi Bllakos, pritet të ripyetet edhe Lefter Koka

Më: 5 prill 2022 Në ora: 14:06
Foto ilustrim

Ndërkohë që Alqi Bllako kërkoi para Gjykatës që të zbutej masa e sigurimit, i bashkakuzuari tjetër kryesor i dosjes së inceneratorëve, Lefter Koka, ka trokitur në Gjykatën e Lartë me anë të një rekursi për ndryshimin e masës së parë të sigurisë.

Në fakt, bëhet fjalë për një rekurs që është nisur që më datë 7 mars, me anë të të cilit Koka kërkonte të dilte nga burgu dhe të hetohej në një masë tjetër, pa e ditur se SPAK kishte bërë gati masën e dytë të sigurisë, masë që do ta rimbante në burg ish-ministrin për shkak të aferës me inceneratorin e Fierit, incenerator që i solli në të njëjtin paraburgim edhe ish-sekretarin e tij, Alqi Bllakon.

Kështu, ish-eprori me ishvartësin e tij nuk mund të fitojnë lirinë për shkak se prokurori i çështjes kërkon rimarrjen në pyetje të Kokës dhe pyetjen sërish të Bllakos, ish-deputetit socialist, i cili u prangos më datë 1 prill pas masës së sigurisë arrest me burg, që kishte dhënë GJKKO.

MARRJA NË PYETJE Dy zyrtarët më të lartë të arrestuar për inceneratorët, ish-ministri Lefter Koka dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Alqi Bllako, do të merren në pyetje nga SPAK, në cilësinë e të pandehurve për të dhënë deklarime. Hetimet po vijojnë edhe për inceneratorin e Tiranës, ku janë pyetur anëtarët e komisionit, ndërkohë që po vijon mbledhja e provave për shkeljet ligjore të evidentuara.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dhe ish-sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri, Alqi Bllako, të cilët janë lënë në paraburgimin ‘313’ nga Gjykata, pritet të merren në pyetje nga prokurorët që po hetojnë dosjet e inceneratorëve. Burimet nga grupi i hetimit thanë se pyetja e dy ish-zyrtarëve do të kryhet në cilësinë e të pandehurve pas masës së arrestit me burg, që është dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Ndërkohë, Prokuroria pritet të vendosë para përgjegjësisë penale persona të tjerë për inceneratorin e Fierit, për të cilin një javë më parë u firmosën 9 urdhra arresti.

Paralelisht organi i akuzës po vijon marrjen në pyetje edhe për abuzimet për inceneratororin e Tiranës, të vetmin për të cilin deri tani nuk ka të arrestuar.

LEFTER KOKA MBETET NË QELI, GJYKATA E LARTË NUK PRANON REKURSIN 

Mësohet se Prokuroria është duke verifikuar materialet shkresore në lidhje me vendimin e marrë për ndërtimin e këtij inceneratorit, dhe nëse ndërtimi i tij është i përligjur sa i takon sasisë së mbetjeve që prodhonte kryeqyteti.

Deri tani, SPAK ka firmosur 12 urdhër arresti ndërsa tre persona rezultojnë në kërkim, pasi ende nuk janë kapur. Bëhet fjalë për Stela Gugallen, Klodian Zoton dhe Arenc Myrtezanin.

Ndërkohë, ish-ministri Lefter Koka vijoi betejën e tij për ndryshim të masës së sigurisë deri në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit refuzoi kërkesën e tij për lirim pas rrëzimit të ankimit edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit.

PJESA NGA DOSJA E ‘FIERIT’ 

Thuajse në të gjitha rastet është ndjekur modeli që u ndoq për punësimin e të atit të Alqi Bllakos, punësim fiktiv, që më pas ka rezultuar edhe si aferë për shkak të pozicionit që mbante deputeti i prangosur.

Në dosje vihet re se edhe një magazinier i hekurudhës, që paguhet vetëm 280 mijë lekë të vjetra, është njeriu që ka hapur kompaninë “Pivot 04”, nga ku më pas koncesionari i Elbasanit “Albtek Energy”, ka paguar shumën prej më shumë se 1.9 miliardë lekësh.

Bëhet fjalë për Arbër Denizin, i cili ka treguar në SPAK se punon si magazinier në hekurudhën shqiptare, ndërsa nuk ka dijeni se çfarë punimesh ka kryer me beton në inceneratorin e Elbasanit.

Faturat fiktive të kësaj kompanie i janë gjendur dhe sekuestruar shtetasit Arbi Koka, djalit të Lefterit, i cili dispononte këtë dokumentacion te selia e kompanisë “Pivot-04”, që në fakt ishte njëherësh dhe selia e pijeve “Gjergi Kastrioti”, Rrashbull, Durrës, që zotërohet nga Lefter Koka me 88.19%.

Rezulton se në “Pivot 04” është deklaruar si punonjës Klement Oketa. I pyetur lidhur me rrethanat e hetimit, ky shtetas ka shpjeguar se nuk ka punuar ndonjëherë në shoqërinë “Pivot 04” dhe se nuk e njeh personin me emrin Arbër Denizi. Nuk i njeh as edhe punonjësit e tjerë të regjistruar.

Janë pyetur lidhur me këtë çështje punonjësit e tjerë të regjistruar, Genert Baci dhe Ymer Çyrbia, të cilët kanë shpjeguar thënie kontradiktore me njëri-tjetrin. Këta shtetas nuk i njohin punonjësit e tjerë që kanë qenë të regjistruar në të njëjtën periudhë, përveç Genert Baçi që njeh njërin prej tyre (Juxhin Schaefer), por nuk di nëse ka punuar në të njëjtin vend pune.

Është pyetur lidhur me rrethanat e hetimit shtetasi Arber Denizi. Ky shtetas ka shpjeguar fillimisht se ka çuar te shoqëria “Albtek Energy” në Elbasan materiale inerte, beton, zhavorr, rërë çakëll. Ka shpjeguar se nuk ka pasur mjete në pronësi, por ka marrë ato nga banorë të zonës dhe nuk është në gjendje të kujtojë ndonjë emër firme apo personi.

Ai ka shpjeguar se deklarimet në organet tatimore për librat e shitjeve dhe të blerjeve i ka bërë ai personalisht në DRT Durrës, ndërkohë që këto deklarime bëhen online në faqen elektronike të Drejtorisë së Tatimeve.

Nuk ka qenë në gjendje që të shpjegonte emrat e ndonjë prej ekonomistëve, me të cilët ka punuar. Ka shpjeguar se punëtorët Genert Baci dhe Klement Oketa, që kanë qenë të siguruar te shoqëria e tij, ai nuk i njeh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat