Erlis Çela: Raporti i DASH, më negativi që ka marrë Shqipëria në 10 vitet e fundit

Shqipëria

Erlis Çela: Raporti i DASH, më negativi që ka marrë Shqipëria në 10 vitet e fundit

Më: 13 prill 2022 Në ora: 15:56
Erlis Çela

Qeveria miratoi më 24 Dhjetor të 2021 vendimin për nisjen e projektit Këshillimi Kombëtar, me qëllimin për t’u këshilluar me qytetarët përpara hartimit të nismave ligjore që përfshijnë një gamë të gjere çështjesh që nisin nga integrimi në BE e deri nëse duhet të legalizohet hashashi. Në prezantim të rezultateve qeveria tha se 61% e afro 563 mijë shqiptarëve që u bënë pjesë e Këshillimit kërkojnë legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, duke i hapur rrugë bërjes së saj realitet.

Pedagogu dhe gazetari Erlis Çela i ftuar në studion e Abc Live duke bërë një analizë të kësaj nisme u shpreh se ka dyshime në lidhje me transparencën e këtij procesi.

 “Është nismë propagandistike në vazhdën e nismave të tjera të kësaj qeverie. Nëse do ishte puna për t’u konsultuar me publikun qeveria mund ta çonte çështjen e kanabisit në referendum . Mund të kishte organizuar një referendum por është një mekanizëm populist për të thënë se ne nuk kemi mekanizma të njëanshme por pyesim popullin. Mund ta kishte bërë një gjë të tillë për PPP, inceneratorët, po s’u bë. Bëri të gjithë ato marrëveshje pa e bërë një gjë të tillë dhe sot po ua ndiejmë erën”.

Sipas Çelës, pyetjet e adresuara në Këshillim, janë vetëm për çështje që kanë qenë në axhendën e qeverisë dhe që do të zbatoheshin edhe pa “miratimin” e qytetarëve.

“Kam dyshime dhe për rezultatet përderisa po vë në dyshim nismën. Unë njëherë kam shumë dyshime nëse pyetja është kuptuar ose jo nga ata që janë pyetur. Ajo kërkonte një fushatë paraprake informimi që u bë shumë e cunguar. Qeveria ka gjetur një mënyrë si të legalizojë një proces që është i dëmshëm për shoqërinë.  Qeveria e ka në axhendë primare dhe do ta bëjë. Mendojnë se mund të sjellë burime të ardhurash të konsiderueshme. Pra është një burim parash. A i keni dëgjuar pse këto çështje u shtruan? Argumenti që jep kryeministri thotë se mendojmë që këto janë çështje të rëndësishme. Ai s’është konsultuar as me ekspertë. Pra janë pyetur shqiptarët a duan të ndahen nga Maqedonia e Veriut për çështjen e negociatave? Po ç’kuptim ka kjo. Normalisht që shqiptarët duan të integrohen. Janë adresuar çështje që kanë qenë në axhendën e qeverisë. Ju mendoni se s’do bëheshin këto gjëra nëse shqiptarët do të thoshin jo? Patjetër që po”, u shpreh Çela.

“Qeveria do të kanalizojë disa burime financiare që i konsideron të rëndësishme për situatën ku ndodhet dhe në shumicën e rasteve janë kanalizuar nga paratë e krimit. Amnistia fiskale dhe kanabisin për të gjeneruar para më lehtë. Unë nuk di ndonjë vend që është bërë i pasur nga sektori i kanabisit mjekësor. Maqedonia e Veriut është një dështim. Pati shpresë për të ardhura por nuk rezultoi e tillë, s’ka sjellë kontribut domethënës në ekonominë e Maqedonisë së Veriut”, shtoi më tej.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdonte procesi i Vetingut, korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet lokale, dhe kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit. Këto përfundime përfshihen në raportin e përvitshëm të DASH për të drejtat e njeriut në botë dhe sipas Erlis Çelës ky është raporti më negativi për vendin tonë në 10 vitet e fundit".

“Është më negativi që ka marrë Shqipëria në 10 vitet e fundit. Raporti se qeveria është e korruptuar në çdo degë të saj. Ka probleme me lirinë e shtypit. Raporti përmend 2 problematika gjatë zgjedhjeve, përdorimi i aseteve për të favorizuar qeverinë në pushtet dhe përdorimi i të dhënave.U përpoq të bëhej ironi me termin patronazhist. Doli që patronazhistët nuk ishin marrë vetëm me spiunimin tonë por ishin marrë edhe me të dhëna të tjera, për pagat, targat, pronat etj dhe raporti i fundit i përmend të gjitha. Më alarmant fokusi te nivelet e larta të pandëshkueshmërisë së korrupsionit. Në raporte flitet që ne ende s’mund të ndëshkojmë zyrtarë të lartë. Janë renditur dështimet, ndaj e thashë se në këndvështrimin tim është raporti më negativ”.

Gjatë intervistës pedagogu është ndalur edhe te zhvillimet e fundit në të dyja kahet politike në vend. Thirrjen e Ramës nga Kongresi për SPAK që të hetojë ish-kryeministrin Sali Berisha, Çela e cilësoi si një presion të hapur ndaj prokurorëve.

“SPAK ka detyrim ligjor që nëse ka çështje për Berishën t’i shkojë deri në fund. S’ka nevojë që Rama t’i bëjë thirrje nga kongresi. E shikoj si një mesazh të Ramës për t’i bërë presion sistemit të drejtësisë, sepse ai dha dhe mesazhe të tjera, duke aluduar për një qasje të pa balancuar të SPAK për mënyrën si godet korrupsionin. Spak i  thuhet merruni me një histori të pas kaq vitesh dhe jo me inceneratorët. Një presion i hapur. Rama me një mesazh në kongres i caktoi kufijtë limitet SPAK”.

Ndalur në kampin opozitar, pedagogu Çela u shpreh se artikulimi për bashkim në PD është një retorike boshe pasi veprimet sipas tij tregojnë të kundërtën.

“Nuk ka vullnet për bashkim. Gjerat në PD janë ndarë njëherë e mirë. Pavarësisht retorikës në publik për bashkim, në mënyrën si e shikojnë situatën palët ndahen. Nuk shikoj terren konkret ku palët mund të bashkohen. Si retorikë bashkimi mendoj se po harxhojnë kohë kot. Nuk është dëshirë apo retorikë bashkimi, bashkimi është akt. Që në zgjedhjet e marsit flasim për bashkim por nuk ka bashkim. Procesi i zgjedhjeve në bazë është i gabuar për mendimin tim sepse është i njëanshëm. Nëse duam bashkim, pse të mos japim kohë. Pra kemi kërkesë për bashkim dhe nga ana tjetër veprimet janë të njëanshme. Duan apo s’duan si anëtarët e Rithemelimit apo pjesa e Alibeajt fjala e fundit do të thuhet në Gjykatë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat