Legalizimet në njësinë Buçimas, dorëzohen 140 certifikatat e fundit, përfitojnë edhe 20 Xhami

Shqipëria

Legalizimet në njësinë Buçimas, dorëzohen 140 certifikatat e fundit, përfitojnë edhe 20 Xhami

Më: 24 prill 2022 Në ora: 14:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, dorëzoi 140 certifikatat e fundit të legalizimeve në Njësinë Administrative Buçimas të Pogradecit. Në të gjithë zonën janë legalizuar 1560 objekte ndërkohë që së fundi, kanë përfituar edhe 20 xhami të zonës të cilat u pajisën me dokumentacion në kuadër të muajit të Ramazanit.

Legalizimi i 140 objekteve ka përmbyllur gjithë procesin në Njësinë Administrative Buçimas, e cila që prej vitit 2006 kishte 1700 aplikime të regjistruara sipas Regjistrit Online të vetë-deklarimeve.

Numri i objekteve të legalizuara në njësinë më të madhe administrative të Pogradecit shkoi në 1560 teksa mbeten ende jashtë procesit rreth 150 praktika, të cilat janë objekte të palegalizueshme, ose u përkasin qytetarëve që nuk gjenden aktualisht në Shqipëri.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame orientoi edhe njëherë qytetarët drejt shërbimeve online.

"Besoj do të shikoni që kryeministri do bëjë një aktivitet për çështjen e mbylljes së sporteleve dhe për aplikimet për gjithë shërbimet online. Është një reformë e cila nuk përballohet duke thënë "nuk di ta bëj" dhe të japësh arsye që nuk dua ta bëj. Është një reformë që ka marrë fund dhe zgjidhet vetëm duke thënë si do ta rregulloj", tha Lame.

Në fshatin Guras ku dhe u bë dorëzimi i certifikatave, u dha leja e legalizimit edhe për 20 xhami në kuadër të muajit të Ramazanit.

Përveç procesit të legalizimeve, çështje tjetër që po trajtohen nga Kadastra në këtë zonë është edhe pajisja me certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat