Marrëveshja/ Elva Margariti i cakton vetes dhjetëra mijëra dollarë shpenzime për Butrintin

Shqipëria

Marrëveshja/ Elva Margariti i cakton vetes dhjetëra mijëra dollarë shpenzime për Butrintin

Më: 2 maj 2022 Në ora: 18:38
Elva Margariti

Nuk dihet saktësisht se çfarë do të bëjë ministrja e Kulturës, Elva Margariti pasi Butrinti të merret nën menaxhim nga Fondacioni i Ri, por duke qenë pjesë e Bordit të Fondacionit ajo do të përfitojë gati 28 mijë dollarë shpenzime për çdo vit. Në marrëveshjen që u publikua në faqen e parlamentit thuhet se Fondacioni do të ketë kosto shtesë për shpenzimet e bordit, që “nuk kanë lidhje me asnjë ndërhyrje të drejtpërdrejtë brenda sitit” të Butrintit.

Për 5 anëtarët e bordit do të jepen 50 mijë euro çdo vit për shpenzime, pra 10 mijë euro secili. Ndërsa 90 mijë euro të tjera shpërndahen për shpenzimet e stafit të bordit.

Shumat do të jepen për 7 vite rresht. Në total, buxheti për shpenzimet e bordit do të jenë 980 mijë dollarë.

Pra, përfitimet e Elva Margaritit janë 10 mijë dollarë shpenzime për çdo vit që do të jetë në pozicionin e ministres, duke shtuar këtu edhe staf shtesë në dispozicion.

Arkeologu Neritan Ceka, i irrituar për shmangien e arkeologëve dhe institucioneve shqiptare nga plani i menaxhimit të Butrintit e denoncoi këtë shumë parash që kalon për ministren Elva Margariti gjatë një interviste sot për Panorama.

 

Shpërblimi i majmë e kompromenton rolin e ministres në këtë projekt. Elva Margariti tentoi ta mbajë sekret dokumentin gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare dhe i kërkoi deputetëve të votonin pa ditur se çfarë votonin.

Pikërisht për këtë, marrëveshja për menaxhimin e Butrintit nga fondacioni i ri provokoi debate të forta. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa gjatë seancës së Komisionit Parlamentar i ndërpreu fjalën ministres së Kulturës duke i hequr mikrofonin.

Pas zhurmës në media, marrëveshja u publikua. Margariti e justifikoi fshehjen e dokumentit me fjalët: “Nuk do të doja të keqinterpretoheshin të gjithë elementët e parashikuar në planin e biznesit në këto komisione”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat