Gjuetia e paligjshme e daterit po shkatërron jetën nënujore të rivierës shqiptare

Shqipëria

Gjuetia e paligjshme e daterit po shkatërron jetën nënujore të rivierës shqiptare

Më: 2 maj 2022 Në ora: 21:26
foto ilustrim

Tregtimi i daterit, moluskut gurëshpues, është i ndaluar në Shqipëri për shkak të dëmtimit që shkakton nxjerrja e tij ndaj jetës detare. Megjithatë, restorantet e reklamojnë hapur në Instagram dhe peshkatarët e shesin lirisht, ndërsa institucionet përgjegjëse bëjnë një sy qorr.

Një pjatë dater ‘saute’ në vaj ulliri kushton mesatarisht 1500 lekë në restorantet e Vlorës dhe një kilogram shitet i gatuar deri në 6 mijë lekë.

Për klientin që ia mban xhepi dhe që ndonjëherë udhëton edhe nga Italia për t’i provuar, ushqimi duhet të jetë vërtetë i veçantë, por për aktivistët mjedisorë, delikatesa kulinare është provë e krimit mjedisor që po shkatërron jetën nënujore në rivierën shqiptare.

“Për arsye se dateri e krijon folenë e tij në shkëmb, ata që merren me gjuetinë e daterit e thyejnë shkëmbin, bashkë me thyerjen e shkëmbit prishet e gjithë jeta që është e ndërtuar mbi të. Pra është njësoj si të prishësh një qytet për të marrë një person, një individ të caktuar”, thotë Adriatik Selami, instruktor zhytje në “Oazi Blu”

Gjuetia e daterit është e ndaluar me ligj. Dateri vetë është një specie e rrezikuar, e listuar në Librin e Kuq të miratuar nga Ministria e Mjedisit që nga viti 1996. Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu disa konventa ndërkombëtare që mbrojnë gurëshpuesin, ndërsa qeveria ka miratuar një ligj të posaçëm të mbrojtjes së daterit në vitin 2012.

Por aktivistët në mbrojtje të mjedisit thonë se gjuetia e paligjshme vazhdon lirisht dhe po shkatërron përveç daterit, edhe ekosistemin dhe jetën e shkëmbinjve nënujorë.

Edhe pse i ndaluar me ligj, dateri shitet lirisht në restorantet e produketeve të detit në Vlorë dhe qytete të tjera dhe reklamohet po aq lirisht në faqet e tyre në rrjetet sociale. Megjithatë, institucionet kontrolluese si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia e Shtetit që duhet të penalizojnë këtë tregti, i thanë BIRN në përgjigje të kërkesave për informacion se nuk kishin identifikuar asnjë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat