​ATSH e BTA me marrëveshje të re bashkëpunimi

Shqipëria

​ATSH e BTA me marrëveshje të re bashkëpunimi

Më: 4 maj 2022 Në ora: 17:12
Pamje nga takimi

Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA) dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA) nënshkruan sot një marrëveshje të re bashkëpunimi, që i garanton secilit partner akses në të gjitha lajmet dhe fotot.

Marrëveshja u nënshkrua në Sofje nga drejtori i Përgjithshëm i BTA-së, Kiril Valçev dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Valbona Zhupa, nëpërmjet së cilës dy agjencitë e lajmeve marrin përsipër të shkëmbejnë çdo ditë një lajm të përzgjedhur dhe ta publikojnë atë.

”Kjo do të sigurojë që deri në fund të çdo viti të kemi 365 lajme nga njëri-tjetri”, tha Valçev teksa nënshkroi dokumentin me homologen e tij të ATSH-së.

Valçev u shpreh se nuk është normale që dy vende që janë kaq pranë si Bullgaria dhe Shqipëria, të mësojnë lajmet për njëra-tjetrën përmes agjencive ndërkombëtare të lajmeve si Associated Press, Reuters, AFP, DPA dhe të mos përdorin burimet lokale.

Drejtori i përgjithshëm i BTA-së vuri në dukje se në shtator Bullgaria do të presë Asamblenë e 30-të të Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike të Lajmeve – Evropa Juglindore (ABNA-SE), ku kjo praktikë e shkëmbimit të informacionit do të propozohet midis të gjitha agjencive ballkanike.

”Në Shqipëri ka edhe një minoritet bullgar, për të cilin shteti shqiptar kujdeset veçanërisht dhe ne mbështetemi te kolegët tanë nga ATSH për të marrë më shumë lajme për bullgarët në Shqipëri”, tha Valçev.

Nga ana e saj, drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa theksoi se marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Bullgarisë ekzistojnë që prej rreth 100 vitesh dhe se bashkëpunimi është i gjerë në shumë fusha.

Zhupa nënvizoi se ekonomia dhe turizmi duhet të kenë një rëndësi të veçantë në shkëmbimin e lajmeve mes dy agjencive.

Ajo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve tona në fushën e turizmit reflektohet edhe në numrin e turistëve bullgarë që vizitojnë Shqipërinë dhe turistët shqiptarë që eksplorojnë bregdetin bullgar.

“Përpara pandemisë, mbi 40.000 turistë bullgarë zgjodhën të vizitonin Shqipërinë. Kjo shifër është shumë domethënëse për marrëdhëniet midis vendeve tona”, nënvizoi drejtoresha e ATSH-së.

Zhupa theksoi se edhe vendosja e linjës ajrore Tirane- Sofje do i shërbejë shkëmbimeve midis dy vendeve tona, veçanërisht rritjes së numrit të turistëve, ndërkohë që Shqipëria ka hequr të gjitha masat kufizuese COVID-19.

Marrëveshja BTA-ATSH parashikon edhe shkëmbimin e përvojave dhe gazetarëve mes dy agjencive të lajmeve. Valçev tha se Shqipëria do të jetë vendi i gjashtë ballkanik ku BTA do të hapë një zyrë. Pesë të tjerat janë Maqedonia e Veriut, Rumania, Turqia, Greqia dhe Serbia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat