Bizneset rritën shitjet në tremujorin e parë të vitit, kryesojnë sektorët e lidhur me turizmin dhe industria

Shqipëria

Bizneset rritën shitjet në tremujorin e parë të vitit, kryesojnë sektorët e lidhur me turizmin dhe industria

Më: 17 qershor 2022 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Treguesit e shitjeve, punësimit dhe pagave të biznesit vijuan rritjen në tremujorin e parë të vitit për shumicën e sektorëve të ekonomisë.

Sipas statistikave afatshkurtra nga INSTAT, indeksi i shitjeve neto shënoi rritje me ritme më të larta sidomos për sektorët prodhues të ekonomisë, por edhe për ato degë të shërbimeve që po favorizohen nga faza e daljes së ekonomisë nga pandemia.

Për sektorin e industrisë shitjet neto u rritën me 15.4% krahasuar me një vit më parë, për sektorin energjetik me 47.5% dhe për sektorin e furnizimit me ujë me 25.9%. Indeksi i shitjeve vijoi rritjen me ritme të larta edhe në sektorin e ndërtimit, me 24.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Rritja e indekseve të shitjeve neto në një masë të madhe vlerësohet se është ndikuar edhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve në shumicën e sektorëve ekonomikë. Për sektorët prodhues ky efekt ka qenë më i shpejtë, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, që ka sjellë një përcjellje të shpejtë në çmimet e shitjes. Për sa i takon ndërtimit, rritja reflekton ecurinë e mirë të tregut të pasurive të paluajtshme, por vlerësohet se një ndikim të konsiderueshëm mund të ketë edhe procesi i rindërtimit.

Mes shërbimeve, ritme veçanërisht të larta të rritjes së shitjeve neto shënoi aktiviteti i hotelerisë, me 108.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo reflekton rritjen e lartë të turizmit në tremujorin e parë të vitit, i dëshmuar paralelisht edhe nga statistikat e lëvizjes së shtetasve dhe nga ato të Bilancit të Pagesave. Edhe sektori tjetër i lidhur me turizmin, ai i agjencive të udhëtimit, shënoi një rritje të lartë, me 81.3% më shumë krahasuar me një vit më parë, ndërsa aktiviteti i bareve dhe restoranteve u rrit me 14.5%.

Sektori i Transportit gjithashtu raportoi rritje të fortë të shitjeve, me 44.1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Edhe ky sektor reflekton efektet e daljes së ekonomisë nga pandemia, e shoqëruar me rritje të lëvizjes së shtetasve dhe mallrave. Megjithatë, veçanërisht në transportin e mallrave, një ndikim të konsiderueshëm edhe në këtë sektor mund të ketë dhënë rritja e çmimeve.

Në sektorin më të madh të ekonomisë, atë të tregtisë me shumcië dhe pakicë, shitjet neto u rritën me ritme më të kufizuara, me 6.4% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Ndër të paktët sektorë që pësoi rënie të shitjeveishte ai i informacionit dhe komunikimit, me 1.5% më pak krahasuar me tremujorin I 2021.

Tendencë pozitive gjatë tremujorit të parë shfaqën edhe indekset e numrit të të punësuarve dhe të fondit të pagave, që rezultuan në rritje për të gjithë sektoreët ekonomikë. Megjithatë, ajo që bie në sy është se rritja e fondit të pagave në të gjitha rastet është më e lartë se rritja e numrit të të punësuarve. Kjo dëshmon se bizneset po përballen me rritje të kostos së punës, çka sinjalizon presione ende të larta inflacioniste në të ardhmen e afërt.

Rritja e indeksit të fondit të pagave ishte veçanërisht e lartë në degët e shërbimeve. Kjo lidhet pjesërisht me një rritje më të lartë të punësimit në këta sektorë, por edhe me sfidat në rritje për të siguruar fuqi punëtore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat