“A punojnë gjithë vitin bujqit?”/ Akademiku Fuga: Kur opozita integron koncepte që janë propagandë e qeverisë, ajo rrezikon të mbytet

Shqipëria

“A punojnë gjithë vitin bujqit?”/ Akademiku Fuga: Kur opozita integron koncepte që janë propagandë e qeverisë, ajo rrezikon të mbytet

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 13:11
Artan Fuga

Akademiku Artan Fuga, ka analizuar së fundmi konceptin e të vetë punësuarve në sektorin e bujqësisë, përshtatur me realitetin në Shqipëri.

Për këtë analizë ai ka marrë shkas nga një deputete, me profesion ekonomiste, e cila është shprehur se “shumica e të vetëpunësuarve janë në sektorin e bujqësisë…”.

Akademiku nuk bie dakord më këtë pohim të deputetes sepse sipas tij që në koncept ajo është shprehur gabim.

Sipas Fugës, “Të jesh i vetëpunësuar do të thotë të paguhesh me rrogë, me pagë, nga vetvetja” dhe në Shqipëri nuk mund të flitet për kontrata vetëpunësimi aq më tepër në sektorin e bujqësisë.

Përpos gabimit në koncept, për akademikun pohimi i mësipërm, artikuluar nga deputetja është edhe një padrejtësi statistikore dhe ai ngre pyetjen “Në familjen e bujkut sa punojnë vërtet në bujqësi? “

Për Fugën koncepti i vetëpunësimit në bujqësi gërshetuar me statistikat e propaganduara nga INSTAT-i bien në kundërshti më atë që opozita duhet të përfaqësojë në dobi të qytetarëve.

“Kur opozita integron koncepte që janë propagandë e qeverisë, atëherë është e tërhequr në zall të lumit dhe rrezikon të mbytet”, shkruan ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Opozita nis nga konceptet

Një zonjë deputete, ekonomiste, për të cilën si person individual kam respekt, pavarësisht zgjedhjeve të saj politike që nuk më kanë bindur fare, shkruan se shumica e të vetëpunësuarve janë në sektorin e bujqësisë….

Dhe më tej vazhdon analizat e saj!

Me respekt, i them se qysh në konstatim është gabim. Qysh në koncept është gabim!

Pasojat e kësaj pastaj janë të mëdha.

Të jesh i vetëpunësuar do të thotë të paguhesh me rrogë, me pagë, nga vetvetja. Kush paguhet me rrogë sot në sektorin e bujqësisë familjare? Se vetëpunësim do të thotë që dikush punëson veten, pra ka kontratë pune me veten.

Të quhesh i vetëpunësuar do të thotë të punosh në një ekonomi që shet, jo për nevojat e tua familjare. Se kështu gratë shtëpiake në qytet do të quhen edhe ato të vetëpunësuara. Sa janë bujqit që janë fermerë, pra që nuk prodhojnë vetëm për të mbijetuar, për nevojat e tyre ushqimore, pra thjesht për t’u vetëushqyer, por për treg?

Mundet që popullsia rurale të jetë e madhe, por edhe kjo është shumë debatueshme, kurse të barazosh popullsinë rurale me të vetëpunësuarit në bujqësi është një gjë e padrejtë statistikore. E pasaktë. Në familjen e bujkut sa punojnë vërtet në bujqësi?

Të flasësh për numër të madh a të vogël, do të thotë të nënkuptosh se ata vetëpunojnë gjithë kohën vjetore. Po a punojnë gjithë vitin bujqit tanë? Edhe në dimër, a në kohë të tjera? Sa janë këta? Kush i di?

A ka statistika që tregon se kush punon, sa kohë punon, sa paguhet dikush në sektorin e bujqësisë?

Kur opozita integron koncepte që janë propagandë e qeverisë, atëhere është e tërhequr në zall të lumit dhe rrezikon të mbytet.

Opozita nis nga konceptet!

Nëse nis të mendojë duke u mbështetur te propaganda e INSTAT-it do të jetë si këta dhjetë vjet në zall të lumit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat