Hijet e zeza të vdekjes së Kastriot Myftarajt, zbulohen detaje të reja që mund të bëjnë kthesën e madhe të ngjarjes

Shqipëria

Hijet e zeza të vdekjes së Kastriot Myftarajt, zbulohen detaje të reja që mund të bëjnë kthesën e madhe të ngjarjes

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 12:51
Kastriot Myftaraj

Vdekja e papritur e gazetarit dhe analistit të njohur Kastriot Myftaraj, është njëra ndër ngjarjet më të diskutuara ditët e fundit në opinionin publik shqiptar. Mënyra se si u raportua nga organet e rendit në Shqipëri dhe nga motivi që u aludua se u vetëvra se kishte tumor në kokë, vazhdojnë të ngrenë shumë pikëpyetje, për ta cilësuar një vrasje, apo një vetëvrasje, edhe pse policia konfirmoi shumë shkurt se Myftaraj dyshohet se u hodh nga kati i katërt i një objekti në Tiranë. Gazeta ka zbuluar të tjera detaje të pathëna nga misteri që rrethon ende humbjen e jetës të gazetarit. Burime nga miqtë e tij më të ngushtë kanë treguar se Kastriot Myftaraj sapo kishte filluar që të bënte analizat për të mësuar se çfarë sëmundjeje kishte në të vërtetë. Edhe pse kishte kryer disa vizita në një spital privat në Tiranë, gazetari ende nuk kishte marrë një përgjigje përfundimtare se nga çfarë vuante. Sipas rrethit të tij më të ngushtë, Myftaraj ishte shfaqur mosbesues ndaj shërbimit mjekësor në Shqipëri dhe kishte vendosur që të shkonte në Zvicër për të përfunduar të gjitha analizat.

Telefonata e fundit e Myftarajt

Botuesi dhe publicisti Ndriçim Kulla ka qenë ndër të fundit që ka biseduar  me Kastriot Myftarajn përpara se atë ta gjenin të vdekur përpara banesës së tij. Kulla e ka konfirmuar se Myftaraj po mendonte të vijojnë trajtimin jashtë Shqipërisë. Sipas tij, gazetari kishte frikë të kurohej në Shqipëri pasi mund ta vrisnin për shkak të qëndrimeve publike që ka mbajtur. “Unë nuk e imagjinoja dot që të vriste veten ai njeri. Ishte shumë hermetik në aspektin personal. Nuk mund të them se është vrarë, kjo kërkon një analizë teknike, psikologjike, sociologjike. Ai ishte në kërkim të ikjes jashtë, këtë e di mirë”, u shpreh Kulla.

Biseda e fundit me nënën e tij

Një nga miqtë e tij më të ngushtë, kur e ka pyetur nënën e gazetarit se ku ndodhej Kastriot Myftaraj, pasi ai u gjet i vdekur poshtë banesës, ajo i ka thënë se nuk ndodhet aty, pasi ka shkuar të bëjë disa analiza në një spital privat. Në media u raportua se ishte nëna e gazetarit, me të cilën ai jetonte, që konfirmoi ngjarjen tragjike të vetëvrasjes siç pretendon policia dhe siç duket ka parë gjithë skenën kur Myftaraj ka kryer aktin e rëndë. Por ky informacion, që ende nuk dihet nëse ka dalë qëllimisht, doli që nuk ishte i vërtetë. Nëna e Myftarajt, ishte e pranishme në banesë në momentin kur ndodhi ngjarja tronditëse, por ishte në një dhomë tjetër, jo në atë ku ndodhej dritarja ku dyshohet se është hedhur gazetari.

Pamjet e fundit që ngrenë dyshime

Sipas pamjeve ekskluzive që kemi shkëputur nga videoja që disponojmë, shihet Myftaraj i shtrirë në rrugë pa shenja jete. Por ajo që ngre pikëpyetje të tjera, duke u nisur dhe nga deklarata e nënës së tij, se Myftaraj do shkonte të kryente disa analiza në spital, mbështetet duke parë veshjen me të cilën është gjetur gazetari, me kostum, gati për të dalë nga banesa. Një tjetër detaj misterioz është dhe dera e hapur e shtëpisë së tij, si edhe telat e këputur të rrobave, në dritaren ku ai dyshohet nga policia se është vetëhedhur.

Myftaraj ishte shumë optimist

Gazetari Myftaraj ishte shumë optimist, pasi nuk kishte marrë asnjë lajm se jeta e tij ishte drejt fundit, duke ditur se akoma nuk kishte përfunduar të gjitha analizat. Miqtë e tij më të ngushtë i kanë rrëzuar pretendimet e një mjekeje anonime që u shfaq në media dhe tha se Myftaraj ishte dënuar “me vdekje”  dhe e kishte jetën shumë të shkurtër. Të afërmit e tij u shprehën se asgjë nuk ishte e sigurt, pasi të gjitha procedurat mjekësore ende nuk ishin kryer. Zvicra ishte shpresa e tij, dhe besimi i tij më i madh se do të gjente zgjidhje, aty ku në Shqipëri u zhgënjye shumë. Të gjitha këto detaje, shtojnë hijet e zeza që rrethojnë vdekjen e Kastriot Myftarajt.

Image
Pamjet e fundit që ngrenë dyshime
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat